Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe deputeti socialist Taulant Balla kanë deklaruar sot në një dëgjesë me banorët e Gramshit se punimet në kanionin e Holtës do të pezullohen përkohësisht, deri në daljen e raportit të skanimit të projektit.
Balluku u shpreh se së bashku me ministrin Klosi do ta kthejë rastin e Gramshit në një platformë diskutimi të hapur me komunitetin dhe do të punojë për përmirësimin e bazës ligjore e të procedurave.
“Por dua ta them shumë qartë, vërtetë HEC-ët e vegjël kontribuojnë në ekonomi por dhe mund të dëmtojnë ekonomikisht shumë më tepër sesa kontributi i tyre, nëse për një HEC-i të vogël i bie vlera një pasurie të madhe natyrore. Ndaj na duhet një ekuilibër perfekt mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes se pasurive tona natyrore, të cilat janë pasuria më e madhe që ne shqiptarët kemi”, tha më tej ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.