Edhe pse mitingu i datës 21, ishte paralajmëruar i egër dhe me dhunë, Luli një ditë para u shfaq në ekran, duke mallkuar gjithë TV-të që “kishin hapur fjalë” që mitingu do ishte i dhunshëm.
Mallkoi TV Klanin, Top Channel, Fiks Fare, emisionin Stop e gjithë kush i doli para.
Në fund u nxeh dhe tha do marr dhe vajzat në miting.
Hazbiu, që është xheloz kur i vjedhin mallkimet, e mori seriozisht situatën dhe i nisi një letër Jarit:
“I nderuar Jari!
Pashë Lulin dhe mu duk i trembur.
Udhëheqësi në kulmin e revolucionit duhet të jetë i qetë.
Ne nga anët tona nuk e kemi zakon të vëmë gratë dhe kalamajtë para, kur nisemi për luftë.
Sa herë Lulit nuk ja mban nga dhuna, nxjerr para gruan dhe kalamajtë.
Burri që është burrë i vë gjoksin luftës.
Unë mendoj se e ka trembur dikush atë njeri.
Nëse e ka trembur Doktori, duke i thënë do hidhesh në luftë patjetër dhe ai ka refuzuar, ja ku po ta them, po e mallkoj tani para gjithë shqiptarëve.
Ishalla rron e bëhet plak kukudh derisa të shkojë çmimi i brekëve që shet Karmina 2000 euro copa, që të bindet që do ta lërë popullin pa brekë në bythë.
Atë që tremb Lulin, ishalla e zënë hakat e shqiptarëve dhe ju thaftë buza për një pikë ujë, kur të plaket dhe pikën e fundit t’ia japë Çim Peka.
Ai që nuk na lë rehat Lulin, ishalla ngelet pa haloperidol dhe pastaj t’i çojë Lefter Maliqi raki koçomareje të qetësohet.
Nga ana tjetër, nëse e ka trembur vërtet SHBA, atëhere do t’i mallkoj dhe ata.
Ju që trembni Lulin, një djalë të njomë e të pamësuar, ishalla u zë mallkimi i Lubonjës, e fiton prapë Donald Trumpi, që të vini mend në kokë e të mos na llafosni më për demokraci.
Ju që trembni Lulin, ishalla u emërojnë ndonjë ambasador që t’ua nxijë jetën duke ngrënë dreka me Tit Vasilin.
Ju që trembni Lulin, ju thaftë dora dhe mos bëfshi kurrë hajër nga lekët që kemi paguar për lobistë.
Në fund, nëse e Lulin nuk e ka tremb as Doktori, as amerikanët, por vjehrri, po e mallkoj me shpirt, duke i thënë: Mos pafsh një ditë të bardhë në këtë dynja, dhe të zënçin hakat e mamasë së Lulit që i ke marrë djalin.”