Shkarkimet kanë nisur nga hidrocentrali i Vaut të Dejës këtë të mërkurë, pas reshjeve të dendura të shiut gjatë ditëve të fundit.
Kjo është pranuar zyrtarisht edhe nga shefi i Shtabit të Emergjencave në Shkodër, Pëllumb Dani.
Sipas tyre aktualisht po shkarkohen 1400 metër kub në sekondë si pasojë e reshjeve të dendura, shtim ka pasur edhe në lumin Bunë dhe Drin, në të cilat ka pasur një rritje me 30 centimetër.
Deri më tani janë 270 hektarë tokë të përmbytura në Muriqan dhe Oblik. Lumenjtë Buna dhe Drin janë një metër larg pikës maksimale.
Disa zona në Shkodër, Pukë dhe Vaun e Dejës janë pa energji elektrike, pasi era e fortë ka dëmtuar rrjetin elektrik i cili është i vjetër dhe mijëra banorë janë pa drita.
Në Qafën e Thorës, Vermosh dhe Lëpushë kalohet me vështirësi për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.
“Niveli i lumit Drin (hidrometri ura e Bahçallëkut) shënon kuotën 6.20 m me një rritje prej 15 cm me orën 08.00 të datës 18.01.2023 ( kuota max 7.50 m ). Niveli i Liqenit ( hidrometri ura e Bunës) shënon 7.55 m me një rritje prej 15 cm me orën 08.00 të datës 18.01.2023 ( kuota max 8.70 m ). Ka dalje të lumit Buna në Muriqan dhe Oblikë, sipërfaqja e përmbytur është 275 Ha. Grupet e EC të Bashkisë Shkodër janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës”, sipas njoftimit.
Reshjet e shiut dhe stuhia e fortë që ka shoqëruar mbrëmjen e djeshme Lezhën ka sjellë probleme në disa njësi administrative. Më problematike mbeten njësia administrative Zejmen, Shënkoll dhe zona e Zadrimës. Grupet e punës ndodhen në terren dhe vijojnë punën për riparimin e defekteve.
Si pasojë e erërave të fortë gjatë natës, ka mungesë të energjisë elektrike në disa zona në Vlorës, konkretisht në Dukat, Llogara, Radhimë, disa familje në Ujë të ftohtë, Peshkpi, Vllahine, Kallarat, Bolenë, Vranisht, Mesaplik, Terbac, Brataj, Velc, Bashaj, Sevaster.
Në qarkun Elbasan ka ndërprerje të energjisë elektrike në fshatrat Zavalinë dhe Mengel, Polis dhe Fushë Studë.
Në zonat malore, reshjet e borës kanë vazhduar gjatë natës së kaluar. Po punohet në disa akse nga punonjësit e ARRSH për pastrimin e rrugëve nga inertet dhe nga forcat e OSHEE për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në disa njësi administrative.
Ministria e Mbrojtjes njofton se Forcat e Armatosura kanë të angazhuara në nivel kombëtar 1200 forca dhe 450 mjete së bashku me shërbimin zjarrfikës, atë mjekësor, Policinë e Shtetit për të ndërhyrë në çdo rast nevoje.