Disa persona kanë grabitur pajisje radiofonike nga një avion bërthamor rus, i krijuar për të shërbyer si qendër e komandës së presidentit, në rast të një lufte nukleare.
Media shtetërore RIa Novosti raporton se hajdutët kanë arritur të marrin pajisje radiofonike brenda avionit, Ilyushin Il-80 Maxdome. Në total, Rusia ka vetëm katër aeroplanë të tillë, ndërsa mësohet që avioni që ka rënë pre e grabitjes ishte dërguar për mirëmbajtje, në qytetin Taganrog, pranë detit Azov.
Persona të panjohur janë futur nga pjesa e pasme dhe kanë marrë rreth 39 pajisje, të cilat kishin në përbërje metale të çmuara, si flori dhe platin, në sasi të konsiderueshme. Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme konfirmoi se ka nisur një hetim për ngjarjen.
Avioni Il-80, i cili nuk ka dritare, është ndërtuar për të shërbyer si një Kremlin “fluturues” në rast të shpërthimit të një lufte bërthamore. Mbi të, presidenti Putin do të ishte në gjendje të drejtonte vendin dhe të jepte urdhra për ushtrinë.