Një bankë e nivelit të dytë në vend ka rënë pre e një sulmi kibernetik gjatë ditëve të fundit. Thuhet se hakerat kanë marrë akses në të dhënat e një prej bankave më të rëndësishme në vend si “Raiffeisen Bank”. Prej më shumë se dy ditësh, banka ka ndaluar transfertat e parave jashtë vendit si dhe lëvizjet nëpër llogaritë bankare nga jashtë tek klientët e saj.
Sipas burimeve konfidenciale nga punonjës brenda bankës, bëhet me dije se ky shërbim nuk ka funksionuar pasi siguria e bankës është cënuar nga hakerat. Deri më tani nuk dihen përmasat e këtij sulmi dhe llojin e të dhënave që kanë patur akses hakerat, ndërkohë që diçka e tillë është pranuar edhe vetë nga punonjës brenda bankës në fjalë, e cila deri më tani nuk ka reaguar publikisht.
Banka nuk ka reaguar publikisht pasi mendohet se është sulmuar një sistem i saj, teksa klientët e bankës kanë vazhduar të procedojnë me llogaritë e tyre për veprime brenda vendit. Deri më tani nuk dihet ende zyrtarisht pasojat e këtij sulmi dhe se kush e ka kryer atë, ndërkohë “Raiffeisen Bank” është munduar t’ia fsheh të vërtetën klientëve të saj, ndryshe nga disa banka të tjera të nivelit të dytë që kanë dal me deklaratë zyrtare kur kanë hasur sulme të këtij lloji.