Grekofoni nga Mashkullora Arian Çani është shprehur se zhvillon biseda të shpeshta telefonike me kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin, i cili ndodhet në paraburgim për blerje votash.
I ftuar në një program televiziv, Çani tha se Beleri është një person shumë i kthjellët dhe i saktë në ato që thotë, por shtoi se ka pasur pak problem me gjuhën shqipe.
Duke dëgjuar intervistën e tij të sotme nga burgu, Çani tha se qelia i paska bërë “mirë” Belerit në përmirësimin e gjuhës shqipe, pasi sipas tij, kishte shumë përmirësim.
“Unë flas në telefon shpesh me zotin Beleri. Flas me kabinë, kur ka mundësinë merr ai në telefon. Unë e kam dëgjuar edhe herë të tjera, e di shumë mirë sesa i qartë dhe sa i kthjellët është Beleri. Këtë e them për të gjithë ata që e paragjykojnë pa e njohur.
Thjesht ka një problem pak të vogël me shqipen, sepse ngaqë ka jetuar vite të tëra dhe që kur ka lindur ka folur gjuhën e tij që është greqishtja. Ka problem sepse shqipja nuk i vjen lirshëm siç i vjen greqishtja përshembull.
Nuk është çështje theksi sepse gjuha është edhe mendim. Por më bëhet qejfi sepse në këtë intervistë që dëgjova tani ka një evolucion të paparë përsa i përket të shprehurit të shqipes.
Edhe ishte shumë i saktë. Ishte i saktë për ata që janë pak të iluminuar, sepse për errësirën, njerëzit e errësirës nuk kuptojnë asgjë nga ato që thotë Beleri”, tha Çani.