Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi 2-1 me Italinë në ndeshjen e parë të Grupit B në Europianin 2024. Në “Iduna Park” kampionët në fuqi të Evropës përmbysën kuqezinjtë, që kaluan në epërsi pas vetëm 23 sekondave lojë me supergolin e Nedim Bajramit.
Fantazisti shqiptar hyn në librin e rekordeve duke shënuar golin më të shpejtë në 17 Evropianet e zhvilluara nga UEFA. Pas pësimit të golit, Italia e Spallettit kontrolloi lojën dhe barazoi me Bastonin në minutën e 11-të.
Ndeshja Shqipëri-Itali, Veliaj nga ‘Fan Zone’ për Report Tv: Derbi mes vëllezërve
LEXO EDHE:
Ndeshja Shqipëri-Itali, Veliaj nga ‘Fan Zone’ për Report Tv: Derbi mes vëllezërve
Një krosim i Pellegrinit u shfrytëzua nga mbrojtësi i Interit që vendosi ekuilibrat. Kuqezinjtë u shokuan dhe pas vetëm pesë minutave lojë e pësuan nga Barella.
Sërish një lojtar i Interit shënoi për Italinë me një të djathtë nga jashtë zone, duke ia ndalur sferën në rrjetë Strakoshës. Tanët reaguan vetëm në pjesën e dytë dhe me Manaj patën një mundësi të artë, por Donnarumma devijoi.
Tanimë Shqipëria pret ndeshjen e dytë të grupit, të mërkurën në 15:00 kundër Kroacisë në Hamburg. Për Grupin B të Euro 2024, këtë të shtunë Spanja mundi 3-0 Kroacinë dhe së bashku me Italinë ndodhen në kuotën e tri pikëve. Shqipëria dhe Kroacia me zero pikë.
Po këtë të shtunë Zvicra mundi 3-1 Hungarinë. Euro 2024 vijon të dielën me tre ndeshje. Në 15:00 Polonia luan me Holandën, ndërsa në 18:00 Sllovenia përballet me Danimarkën. Gjithçka mbyllet në 21:00 me sfidën Serbi – Angli.
Komentet e rëndësishme:
90+4′ Mbyllet 2-1 ndeshja.
90′ Katër minuta shtesë.
89′ Manaj humbet rastin e artë, devijon Donnarumma.
87′ Bajrami i lë vendin Muçit.
77′ Spalletti bën dy lëvizje te Italia. Dalin Chiesa dhe Pellegrini, për Cambiason dhe Cristanten.
76′ Broja i lë vendin Manajt.
68′ Sylvinho bën dy lëvizje. Seferi dhe Asani lënë fushën, në lojë Hoxha dhe Laçi.
46′ Nis pjesa e dytë.
45+3′ Mbyllet 2-1 pjesa e parë.
33′ Frattesi godet shtyllën për Italinë.
16′ Barella përmbys ndeshjen me një goditje nga jashtë zone, Italia shënon golin e dytë.
11′ Bastoni barazon rezultatin me kokë. Mbrojtësi përfiton nga krosimi i Pellegrinit.
1′ Nedim Bajrami kalon në avantazh kuqezinjtë pas vetëm 23 sekondash. Mesfushori është futur në historinë e Kampionateve Evropiane. Ky është goli më i shpejtë i shënuar në 17 turnetë e Evropianit.
1′ Nis ndeshja në Dortmund.
Formacionet zyrtare:
Itali (4-3-3): Donnarumma; Di Lorenzo, Calafiori, Bastoni, Dimarco; Jorginho, Barella; Chiesa, Frattesi, Pellegrini; Scamacca Trajner: Spalletti.
Shqipëri (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Bajrami; Asani, Seferi, Broja Trajner: Sylvinho.