Pipila”, është nofka e 27-vjeçares shqiptare, e cila u arrestua ditën e djeshme së bashku me një bashkëkombës në zonën e Prevezës, si pasojë e operacionit në vijim të policisë greke për të shkatërruar bandat që për bazë kishin godinën e vjetër të konvikteve në Universitetin e Athinës “Zografou”.
Në detajet e reja të zbardhura nga mediat greke, vajza në fjalë rezulton të jetë një nga bashkëpunëtorët më të afërta të 30-vjeçarit Esmin Ferhati, i cili mbeti i plagosur nga arma e zjarrit të një efektiveje 35-vjeçare greke, të cilën e sulmoi me kaçavidë gjatë operacionit për kapjen e tij.
Bashkë me dy të arrestuarit në Prevezë, numri i personave që janë vënë në pranga shkon në 34, ndërsa bëhet me dije se “Pipila” është anëtare e bandës së grabitësve me kallashnikovë që prej periudhës 2010-2011.
Banda në fjalë, derivat i së cilës është grupi i “Eskos” hynte në shtëpi në zonat periferike të Jugut të Greqisë dhe përveçse grabisnin para dhe sende me vlerë, abuzonin dhe ngacmonin seksualisht me gratë që gjenin në banesa.
Policia vlerëson se të paktën në një rast e arrestuara 27-vjeçare ka parë më sytë e saj teksa anëtarët meshkuj të bandës abuzonin seksualisht me gratë.
Sipas Mega-s, në një kontroll në shtëpinë e 27-vjeçares janë gjetur copa revistash e gazetash nga botimet e kësaj periudhe, të cilat i referoheshin përdhunimeve të grabitësve dhe policia mendon se ajo i ka mbajtur si kujtim.
Gjithashtu, u gjet edhe një automatik, ndërsa në emër të saj ishte makina e përdorur nga anëtarët e bandës për të kryer bastisje.