Shefi i Departamentit i Marketingut të Fakultetit të Ekonomisë, Mirdaim Axhami u arrestua në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune pasi goditi me grusht kolegen e tij, ish-deputeten Liljana Elmazi.
Shefi i Departamentit është arrestuar nga policia, ndërsa blutë e Tiranës njoftojnë se 43-vjeçari ka goditur vartësen e tij, Liljana Billa (Elmazi) për tezat e provimeve.
Ngjarja ka ndodhur në një nga korridoret e Ekonomikut, ndërsa studentët kanë parë skenën pasi kanë dalë nga sallat e provimeve kur kanë dëgjuar ulërimat e Billës.
Ai u arrestua në orët e para të mëngjesit, ndërsa raportohet se ai dhe ish-deputetja kanë pasur konflikte të vazhdueshme.
Axhami nuk është një emër i panjohur për publikun, pasi “bëmat” e tij tek Ekonomiku dhe sherret banale me kolegët në grupe WhatsApp-i janë normale për të.
Disa muaj më parë, Axhami u vendos në qendër të vëmendjes pasi iu publikuan disa mesazhe në një grup WhatsApp (Çunat FEUT) me kolegët e Ekonomikut ku shahej nga njerëzit e familjes dhe zihej për projekte me kolegun e tij, Gjergji Mulla.
Fillimisht sherri nisi për disa projekte dhe fonde, por që më pas gjithçka kaloi në fyerje të rënda ku Axhami i drejtohej Mullas me fjalë ofenduese duke e sharë nga gruaja.
Një fjalor rruge dhe jo i një intelektuali ku prindërit shqiptarë i besojnë arsimimin e fëmijëve. Më pas në grup ndërhyrjnë dhe kolegë të tjerë që i kërkojnë të ndalojë së shkruari me fjalor rruge, por Axhami nuk di të ndalet.