Sali Berisha ka sulmuar dje ashpër ish-kreun e SHISH, Fatos Klosi. Ky i fundit në disa intervista për gazetën “Sot” ka reaguar fort ndaj ish-lideri të PD, por dje ky i fundit e sulmoi nga Shkodra. Gjatë foltores ai u rikthye pas në kohë duke akuzuar edhe ish-kreun e SHISH-it në vitet 1997-2002, Fatos Klosi.
Duke iu referuar zgjedhjeve të vitit 2001, Sali Berisha tha: “Në 2001 na ndodhi një gjë e tillë. Nuk është se e kishim klimën në favor. Një demokrat që duhet t’i jemi mirënjohës, kapi në një klub Fatos Klosin duke i dorëzuar një qese të madhe një vëzhguese. I çoj fjalë i them o ti agjent i Klosit o i korruptuari i Klosit po e qepe gojën ta dish mirë të gjitha këto foto do të dalin. Arritëm që Parlamenti Europian të shprehej se parlamenti i Shqipërisë nuk shpreh vullnetin shqiptar. U vunë sanksione për Fatos Nanon”, tha ai.
Por cili është versioni i Klosit për këtë ngjarje? Ish-kreu i SHISH-it i kontaktuar nga “Abc News” e cilësoi mashtrim. “(Qesh). Për mua ka shpifur gjithë jetën. Ja ka fut kot, e ka bërë gjithmonë, edhe para disa muajsh, kjo është hera e parë që e dëgjoj këtë histori, çantën me lekë. Nuk ka gjë me mua, gjithë problemi është që të gjejë argumente që PS ka blerë vota dhe përmend emrin tim që mbase besohet që SHIK-u e ka më kollaj për të ndarë lekë. Janë gënjeshtra. Ai ka dalë në komision parlamentar dhe ka gënjyer nga fillimi në fund. Kjo histori është hera e parë që e dëgjoj, është nga këto të rejat (qesh)” tha ai.
I pyetur se si i duket rikthimi i Berishës, Klosi tha sekjo ëhstë absurde. “Berisha e bëri detyrën e vet e drejtoi PD-në për shumë vite. Tani më duket absurde, vetëm se ju prekën interesat e tij personale. Ky është nxehur dhe po kërkon ta kthejë PD-në ku ka qenë në kohën e vet, të dhunshme. Është një furtunë brenda PD-së, që mbase nuk do të kalojë kollaj, por do të përfundojë normalisht” tha ai.
Ndërsa vendimin e Bashës për përjashtimin nga grupi e cilësoi normal. “Bëri një hap që i bënte mirë PD-së që ky të rrinte mënjanë për ca kohë, por ky nuk mund ta pranonte. Hapi i Bashës më duket normal, që të rrinte ca kohë në pritje, meqë SHBA nuk janë “komshiu” që thotë llafe, por një shtet i madh dhe serioz. Basha nuk kishte rrugë tjetër” tha ai.
Lufta me SHBA
Rikthimin e Berishës në aksion, Klosi e quaj sfidë publike me SHBA-në, por a do të ketë hap tjetër nga Amerika kundër ish-kryeministrit? “SHBA janë prezente këtu, nuk mund të parashikoj. Unë them që ambasadorja që është këtu, gjithmonë do të ketë raste të përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, në këtë mënyrë nuk do të bëjnë ndonjë hap të madh.
Ai ishte hapi i madh, deklarimi personalisht, nuk ja lanë përfaqësuesve të shtypit, por e bëri personalisht shefi i departamentit. Duke ditur kush është Berisha e mori përsipër vetë ai. Por ky guxon të hiqet që nuk është ai që thonë amerikanët” deklaroi ai.