Argita Malltezi, ka reaguar lidhur me kërkesën e gjyqtares të GJKKO drejtuar SPAK duke i kërkuar këtij të fundit hetimin e deklaratave të zonjës Malltezi.
Irena Gjoka ka kërkuar që zonja Malltezi të hetohet lidhur me deklaratën ku akuzoi gjyqtaren se “është korruptuar me 500 mijë euro në këmbim të lehtësirave ligjore shfajësuese për një ish-deputet”.
Pas kësaj vetë Argita Malltezi ka reaguar duke thënë se gjyqtarja Gjoka po keqpërdor drejtësinë pasi sipas saj, “nuk ka asnjë dispozitë ligjore që i jep të drejtë SPAK të hetojë çështje ku ankues ose i paditur është një prokuror apo gjyqtar i drejtësisë së posaçme”.
Vajza e kryetarit të Partisë Demokratike edhe ajo non grata si babai për korrupsion madhor përsërit akuzat e bëra në konferencën për shtyp të datës 23 shtator, në adresë të gjyqtares Gjoka. Ajo i kërkon edhe Prokurorisë së Posaçme të sqarojë nëse ekziston video ku sipas saj gjyqtarja negocion me një ish-deputet të PS për t’i marrë 500 mijë euro në këmbim të lehtësimit të çështjes në ngarkim të tij.
“Megjithatë unë e vlerësoj këtë rast si një mundësi të shkëlqyer për t’i drejtuar xhongleres së mbiemrave ato pyetje që unë i drejtova publikisht. A je përzënë nga Greqia për vepra të dënueshme? A ekziston një video e gjetur në shtëpinë e gazetarit të larguar tashmë nga Shqipëria, në të cilën ajo është regjistruar me qëllim shantazhi duke negociuar me një ish deputet të PS marrjen e shumës prej 500 mijë eurosh në këmbim të lehtësirave ligjore shfajësuese për këtë ish deputet? Inkurajoj mediat të pyesin dhe hetojnë për këtë çështje“, thuhet në reagimin e Argita Malltezit.