Ish- kreu i SHIK, Fatos Klosi ka komentuar zhvillimet në Partinë Demokratike si edhe regjistrimin e statutit të Komisionit të Rithemelimit nga Gjykata.
Ai tha, se gjyqtari që mori këtë vendim është një produkt i vjetër i ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai theksoi, se ish-kryeministri në PD ka atë që ai e cilësoj si grupi gri, ndërsa theksoi se Berisha thotë se po mbron konservatorizmin gjë e cila sipas tij, në Shqipëri kjo është absurde.“Berisha mori një vërtetim nga një gjykatë që e dëgjova në media që ai gjyqtari ishte një produkt i vjetër i Berishës, por edhe pash që atë gjykatës e dërguan në një komision që mund ti kërkojë llogari atij gjykatësit.
Më duket se procesi mes tyre do të vazhdojë gjatë, tani se çfarë do të bëjnë në Parlament është problem për ta dhe jo për qeverinë, a do ti mbushin këta dot mendjen këtij populli se ata janë opozitë e vërtetë dhe këta janë ata të cilët mund të vijnë nesër në pushtet, mendoj se me këto që po ndodhin nuk janë serioz. Berisha ka në PD atë grupin gri që vendos nga do shkoj vota.
Unë e kam thënë se PD-në e vlerësoj për aq sa bëri që ndryshoi një sistem, punoi mirë apo keq, por punoi. Intelektualët më të mirë ikën nga Partia Demokratike para shumë vitesh. Berisha për shembull thotë se po mbron konservatorizmin dhe kjo në Shqipëri është absurde”, tha ai.
Berisha mund të bashkohet me Metën
Më tej i pyetur nga gazeta se si e komenton faktin se ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se do të ketë bashkëpunim në të ardhmen me presidentin Ilir Metën, ai u shpreh se ata janë në një aleancë me njëri-tjetrin. Sipas tij, fakti që ata bashkëpunuan në zgjedhje e tregon këtë gjë dhe se do të kenë bashkëpunim edhe në të ardhmen.“Ilir Meta s’është për LSI, mund të bashkohet me Berishën.
Po deri tani duket sikur janë në bashkëpunim për sa kohë që presidenti Ilir Meta iu la partinë për të marr pjesë në zgjedhje unë e quaj si një hap shumë të rëndësishëm drejt një bashkëpunimi të ardhshëm. Praktikisht gjithçka që është duke ndodhur sot edhe procesi gjyqësor edhe janë kondicionuar në një farë mënyre edhe nga rezultatet e zgjedhjeve. Duket që është një bashkëpunim që kishte parashikuar këto gjëra”, tha ai.
Ndër të tjera, ish- kreu i SHIK, Fatos Klosi ka komentuar edhe situatën në Partinë Demokratike. Ai u shpreh, se Partia Demokratike është një proces gjyqësor, i cili sipas tij do të zgjas shumë.“Unë di që janë në një proces gjyqësor dhe ky proces mendoj se do të zgjas shumë kohë, pra juridikisht ata do të kenë probleme, pastaj me forcën e Berishës apo me marifetet e Enkelejdit do shihet se si do të zgjidhet.
Por unë e quaj të zgjidhur, sepse Berisha e tregoi se ka shumicën e njerëzve. Në Parlament shumica mendoj nuk është as e njërit dhe as e tjetrit, mendoj se janë dy grupe opozitare që nuk duan që të bashkohen kështu si janë duke ecur punët”, u shpreh ai.
Klosi: Meta, president politik
Ndërkohë, ish- kreu i SHIK, Fatos Klosi ka komentuar edhe çështjen për zgjedhjen e presidentit të ri. Ai u shpreh se, një president i një vendi demokratik nuk duhet që të ndërhyjë në problemet e politikës siç bëri sipas tij, presidenti Ilir Meta.“Mendoj se nuk ka asnjë problem për zgjedhjen e presidenti, por PS pati një eksperiencë të hidhur me Ilir Metën.
Presidenti është një njeri që duhet të jetë jashtë politikës dhe detyra e tij e kërkon këtë. Ai duhet që të njoh mirë ligjet dhe detyrat e tij dhe duhet të jetë një intelektual, njeri serioz dhe të mos mbajë anën e asnjë pale. Po ashtu, duhet që të mos përpiqet të ndërhyjë në problemet e politikës siç bëri Ilir Meta. Presidenti duhet që të ndërpres çdo marrëdhënie me partitë edhe nëse ka pasur më para dhe duhet që të bëjë detyrën e vet”, tha ai.
Ish-kreu i SHISH flet për aferën e inceratorëve
Ndër të tjera, Fatos Klosi, foli edhe sa i përket aferës së inceneratorëve dhe arrestimit të deputetit të Partisë Socialiste Alqi Bllako. Ai theksoi, se për aferën e inceneratorëve u ngrit edhe një komision i posaçëm dhe nga ana tjetër edhe SPAK është duke u marr me këtë aferë.
Ai vijoi më tej duke thënë, se deri më tani janë arrestuar disa zyrtarë të lartë. “Afera e inceneratorëve është diskutuar shumë në komisionin hetimor, i cili u mblodh dhe për këtë çështje u diskutua shumë dhe komisioni bëri punën e vet dhe tani është duke u marr SPAK me këtë çështje, kjo e fundit e krijuar nga reforma në drejtësi dhe që ka piketuar deri më tani disa njerëz siç ishte një ministër, deputet, zv. ministra. Mendoj se këto janë element që tregojnë që diçka është duke ndodhur.
Por, unë dua të ndalem pak si e trajtojë kryeministri këtë çështje. Ai vazhdoi me linjën e vet, që përgjegjësit janë personale dhe ai nuk mbajti gjë për vete. Mbase duhet që të thoshte edhe diçka më shumë, por këtë tha, edhe vet Bllako tha që jam i pafajshëm dhe s’kam bërë gjë.
Unë kam parë një trajtim të politizuar të këtij problemi, janë dy grupe që thonë gjëra të kundërta. Kur arrestohet dikush këtu në Shqipëri bëhet bujë e madhe dhe pastaj pas disa muajsh del i pafajshëm, tani ku është problemi tek ata të cilët e kanë akuzuar në fillim apo tek drejtësia, e cila akoma nuk ka marr akoma atë formë që presim ne”, tha ai.
Sistemi i drejtësisë lë për të dëshiruar
Sakaq, ai foli edhe mbi ecurinë e reformës në drejtësi. Sipas tij, reforma do të arrij qëllim për të cilin është krijuar. Ai theksoi, se reforma ka mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar. “Unë si gjithë shqiptarët besoj se kjo reformë do të arrij qëllimin për të cilin është bërë. Nuk e ka të lehtë, por për sa kohë që reforma ka mbështetje nga ata të cilët kanë kontribuar më shumë që janë partnerët tanë ndërkombëtar.
Unë shpresoj që reforma do t’ja dal. Është e vështirë sigurisht, ne po e shikojmë ishte rasti i atij gjykatësit që vendosi ta njoh ekipin e rithemelimit të PD në shkelje të paarsyeshme të ligjit sepse ka ndonjëherë edhe shkelje jo që justifikohen por që arrijnë që ti justifikojnë kurse ajo ishte absolutisht në shkelje të ligjit.
Me këtë rast të fundit tregohet se akoma drejtësia shqiptare nuk është ende drejtësi. Të gjithë shpresojmë se do t’ja dal natyrisht e ka të vështirë sepse situata ka qenë shumë e rëndë, por do t’ja dal”, nënvizoi ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi.
Qeveria “Rama 3” dhe premtimet
I pyetur lidhur me ndryshimet në qeveri që kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk do të ketë dhe nëse mendon se afera e inceneratorëve mund ta turbullojë qeverinë, ai tha se është kryeministri ai i cili bënë ndryshmet në qeveri nëse sheh nëse nuk ecet sipas planeve të tija.
Sipas tij, ministrat aktual nuk kanë lidhje me këtë aferë pasi ka ndodhur vite më parë.“Po është ai që bënë ndryshimet në qeveri është ai që merr vendimet, nëse qeveria është duke punuar sipas planeve të tija ose jo. Unë kam dëgjuar programin e qeverisë dhe kisha dëshirë që të realizohet. Mendoj se kjo aferë nuk mund ta turbullojë qeverinë, sepse kjo është një aferë shumë e vjetër.
Ministrja e sotme e Energjetikës nuk ka asnjë lidhje me këtë, po ashtu edhe ministrja e sotme e Mjedisit apo e Financave, mendoj se nuk ka asnjë lidhje me këtë aferë që ka ndodhur para disa vitesh.
Kryeministri po thotë se inceneratorët janë gjëja më mirë që është bërë deri më tani dhe po bëjmë atë që bota ka bërë vite më parë dhe në këtë rrugë që ne nisëm se dolën disa njerëz që donin që të përfitonin tani le ta mbajnë ata përgjegjësinë.
Ai tha, se nuk e kam udhëzuar unë atë të marr lekë dhe nuk kam unë në xhepa asnjë lekë të huaj. Kryeministri vet mendoj se nuk rrezikon nga kjo. Pastaj para pak javësh u bënë zgjedhjet dhe u pa rezultati që u mor në zgjedhje, në fund të fundit ky sistem që kemi zgjedhur nuk sheh ca thotë njëri edhe ca thotë tjetri, por vendoset vetëm me anë të votës”, tha ai./NGA SIDORELA BRAÇJA