FIFA lëshoi një deklaratë, që e “qorton me forcë” kritikën e Diego Maradonës ndaj arbitrit Mark Geiger, pas fitores me penallti të Anglisë në Kupën e Botës, ndaj Kolumbisë, të martën. Ikona e Argjentinës beson se Kolumbia ishte viktimë e një “vjedhjeje monumentale” nga arbitri dhe nuk kurseu as performancën e zyrtarëve të FIFA-s. Kjo e fundit i përshkroi komentet e 57-vjeçarit si “krejtësisht të papërshtatshme dhe plotësisht të pabazuara”.
Në deklaratë thuhet: “Duke ndjekur komentet e bëra nga Diego Armando Maradona në lidhje me raundin e 1/8 finale, të ndeshjeve të së martës, specifikisht asaj Kolumbi-Angli, FIFA qorton me forcë kritikat mbi performancën e zyrtarëve të ndeshjes, që ka qenë pozitive në një ndeshje të vështirë dhe shumë emocionale. Për më tepër, ne i konsiderojmë komentet dhe insinuatat shtesë, të bëra prej tij, si tërësisht të papërshtatshme dhe krejtësisht të pabazuara.
Në një kohë kur FIFA po bën gjithçka brenda fuqisë së saj për të siguruar parimet e lojës së ndershme, integritetit dhe respektit, që janë në ballë të kësaj Kupe Botërore, jemi jashtëzakonisht të keqardhur për të lexuar deklarata të tilla nga një lojtar, i cili ka shkruar historinë e lojës sonë”.
Skuadra e Jose Pekerman mori gjashtë kartonë të verdhë në një ndeshje të stuhishme, por Maradona tha se Kolumbia mund të ndihej e grabitur nga kryesori i sfidës me Anglinë. Po ashtu, ai vuri në pikëpyetje vendimin e shefit të gjyqtarëve të FIFA-s, Pierluigi Collina, për të emëruar arbitrin amerikan Geiger për këtë ndeshje.