Gjykata e Apelit të Tiranës ka rrëzuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për të përjashtuar gjyqtaren Irida Kacerja nga çështja e bashkimit të statutit të partisë.
Grupi i Enkelejd Alibeajt e kishte kërkuar shkarkimin me argumentin se mund të paragjykojë këtë çështje, por gjykata e ka rrëzuar, madje i ka vënë grupit të PD-së një gjobë me vlerën 10 mijë lekë. Kjo gjobë është vendosur pasi kërkesa e grupit të Alibeajt është vlerësuar jashtë standardeve ligjore nga Apeli i Tiranës.
Në vendimin e Apelit thuhet se kërkesa e grupit të PD-së është vlerësuar e pabazë pasi nuk ka asnjë provë serioze të paraqitur që do të vinte në dyshim paanësinë e Kacerjas. Apeli ka vlerësuar se mbi gjyqtaren nuk ka asnjë pretendim për konflikt interesi mbi gjykimin e kësaj çështjeje dhe për këtë arsye është rrëzuar edhe kërkesa e PD-së.
“Qartazi konstatohet se mbi gjyqtaren nuk ka asnjë pretendim për konflikt interesi, duke referuar si shkak përjashtimi marrjen e një vendimi të ndërmjetëm nga ana e gjykatës së apelit, që sipas kërkuesit afekton edhe zgjidhjen në themel të çështjes. Në mungesë të një arsye serioze, që do të vinte objektivisht në dyshim paanësinë e gjyqtares relatore, kërkesa për përjashtimin e saj vlerësohet e pabazë”, thuhet në vendim.
Reagon ashpër Berisha
Por zvarritje që po i bën Gjykata e Tiranës çështjes së kujt i takon vula e Partisë Demorkatike duket se ka xhindosur ish-kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit ka dala dje në një media, ndërsa ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe KQZ. “Edi Rama nuk e ndalon dot regjistrimin e PD në KQZ”, deklaroi fillimisht Berisha. Nga ana tjetër Berisha i trembet dhe një vendimi të Gjykatës së Apelit. Ai ka paralajmëruar se nuk do e pranojë një vendim që nuk i jep atij vulën.
“Gjykata e këtij vendi ka vendosur për Kuvendin e 11 dhjetorit. Në botë nuk ka vend që ai vendim nuk regjistrohet në regjistër përveç se në Tiranë me urdhër të Edi Ramës. Ai është vendim përfundimtar dhe regjistrohet automatikisht në regjistër. Ai është ligjit që kur shoqëritë kanë vendosur që shoqatat dhe partitë ti regjistrojnë në gjykatë, të jenë të lira dhe jo nëpër ministrira. Ky është dallim mes vendeve të lira dhe jodemokratike. Në vendet jodemokratike, regjistrohen në ministri e jo në gjykatë, kurse në vendet e lira shoqatat dhe partitë regjistrohen në gjykatë. Kaq është kjo. Gjithçka është në shkelje të çdo ligji, rregulli është një përpjekje e Ramës për të asgjësuar PD dhe pluralizmin”, tha ai.
Kreu i “Foltores” paralajmëron protesta
Më tej Berisha ka kërcënuar me protesta dhe përmbysje. Ai deklaroi se qëllimi kryesor i tij është rrëzimi i Edi Ramës. “Rrëzimi i Edi Ramës është alternativa. Në çdo kohë. Ky është revolucion. Ata që nuk e kuptojnë bëjnë gabim. Ky është revolucion dhe i ka të gjitha mjetet në fushë. Fushatën, betejën protestën, të gjitha”, theksoi ai. Ndërkohë Berisha deklaroi se protestat nuk do të ndalen. Sipas tij, i ky do të jetë një vit i mbushur me protesta. “Absolutisht mund të ketë protesta edhe për një javë edhe për dy javë.
As nuk ikin kurrë nga rendi i ditës ato. Asgjë nuk mund të na pengojë ne. Zotëri ky është revolucion që ka për mision përmbysjen e një sistemi monist. Sot Shqipëria ka një monizëm më të fortë seç e kishte Shqipëria në 1991. Edi Rama ka mbledhur dhe kontrollon pushtetet 10% më shumë se Ramiz Aliaj në 1991. Kështu që sot revolucioni është zgjidhja”, shtoi ai.
Berisha sulmon Veliajn
Nga ana tjetër, Berisha ka sulmuar dje edhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. “Realisht janë betejat në të cilat ne do të arrijmë sukseset më të mëdha. Kemi të bëjmë me figurat më të djegura, diskredituara. Çfarë mendoni se do të votojë Tirana një njeri që do të regjistrohet në Guines për mënyrën e vjedhjes së tij. Një kryetar bashkie që shpall tender ditën që fillon punimet dhe punimet i bën me mjetet e bashkisë, për të dalë vetë në fund fitues i tenderit me një emër tjetër.
Për të futur në xhep 470 milionë lekë. Të shpallësh tender ditën që fillojnë punimet do të thotë që ja ke dhënë tenderin asaj kompanie. Por kur ajo kompani je ti vetë, ndërmarrja e bashkisë, do të thotë se t’i po vjedh paratë e bashkisë. Dhe ky është vetëm një akt i Veliajt, por janë me dhjetëra të tjera. Qytetarët e Tiranës nuk do ta votojnë kurrë këtë, çfarëdo që të bëjë. Ne po e ndjekim, ai po bën gjithçka për të blerë e manipuluar, por ai kurrë nuk do të fitojë”, nënvizoi Berisha.
Çfarë ka ndodhur?
Ky vendim i Apelit vjen në një kohë kur çështja e kontrollit të PD-së ka mbetur ende pezull, ndërsa Alibeaj ka trazuar ujërat brenda selisë blu me përjashtimin e katër deputetëve të tjerë nga grupi parlamentar. Grupi i PD-së kërkon të regjistrojë bashkë ndryshimet statutore që janë bërë në kuvendin e 17 korrikut dhe atë të 18 dhjetorit të 2021. Në rast se gjykata do të pranojë ankimin e PD-së për të bashkangjitur dy kërkesat për ndryshimet statutore, atëherë ‘zhbëhet’ Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, i Sali Berishës.
Ndryshimet statutore të Kuvendit të Sali Berishës, u regjistruan nga gjyqtari Agron Zhukri i cili më 25 mars i kaloi PD-së Berishës. Gjithashtu në Gjykatë është edhe ankimi i Enkelejd Alibeajt kundër vendimit të Zhukrit për regjistrimin e statutit të Berishës. Për këtë arsye, Gjykata sqaroi më parë se për çdo pasqyrim në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës do të pritet sqarimi i çështjes në apel, që do të japë një vendim i formës së prerë për fatin e Partisë Demokratike.
Pasi u njoh me argumentet e plota të gjyqtarit Agron Zhukri, që më 25 mars i dorëzoi Partinë Demokratike Sali Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit, në cilësinë e nënkryetarit të selisë blu, Enkelejd Alibeaj ankimoi vendimin për regjistrimin e statutit logos dhe vulës së re, të miratuara nga grupi i Berishës më 11 dhjetor. Në ankimin, Alibeaj kërkon prishjen e këtij vendimi, duke e rikthyer çështjen për gjykim nga një tjetër trupë gjykuese ose pushimin e saj.