Gjyqtarja e Tiranës, Fida Osmani, e lakuar për vendime skandaloze dhe arbitrare, për gjyqe në avion dhe falsifikim vendimesh, është paraqitur sot në Komisionin e Vetingut, për t’u njohur me rezultatet e hetimit.
Deri në vitin 2016, Fida Osmani ka deklaruar një pasuri me vlerë 240 mijë USD, e cila nuk mbulohet me të ardhurat e ligjshme të deklaruara.
Nga standardet e vendosura deri më sot nga të dy shkallët e Vetingut, Fida Osmani nuk ka asnjë shans për t’u konfirmuar në detyrë, madje veprimtaria e saj duhej të referohet në Prokurori.
Por, shansi i Fida Osmanit mund të jetë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i dyshuar si një nga linjat e nëndheshme të lobimit për kalimin ose jo të subjekteve të caktuara në Veting.
A do të ndërhyjë Ulsi Manja për ta kaluar Fida Osmanin në Veting? Mbetet për t’u parë.
Nga ana tjetër, nuk është më sekret tashmë se shkalla e parë e Vetingut është shndërruar në qendrën më të madhe të pazareve dhe korrupsionit në historinë e drejtësisë në Shqipëri.
Për të kaluar shkallën e parë, një subjekt me shumë probleme, duhet të paguajë deri në 600 mijë euro, kur ka probleme modeste, tarifa është 250 deri në 300 mijē euro. Shtyrja në kohë e procesit ka një tarifë deri në 50 mijë euro.
Ndërkaq, Fida Osmani është proceduar nga ish-KLD-ja pasi i bënte gjyqet në ajër. Po po, në ajër!
Në një kohë kur ishte në avion, letrat i kopsite sikur po zhvillonte gjyqe dhe madje merrte edhe vendime. E ka pranuar vetë pa asnjë grimë turpi, duke thënë se “kush punon edhe gabon”!
I shpëtoi shkarkimit nga ish-KLD-ja, duke marrë vetëm një paralajmërim. Eduard Halimi, në atë kohë ministër i Drejtësie i tha: Më thuaj faleminderit që nuk po të shkarkojmë!
KLD-ja jo vetëm duhet ta shkarkonte, por duhet ta referonte në prokurori për falsifikim.
Do të mjaftonte vetëm ky fakt që gjyqtarja e skandaleve Fida Osmani të shkarkohet nga detyra.