Përmes një artikulli të gjatë, gazeta e njohur britanike “The Guardian”, ka kërkuar të hedhë një vështrim më të thellë mbi procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Shkrimi fokusohet në mënyrë të veçantë tek gjykimi i ish presidentit Hashim Thaçi, të cilin e cilëson si politikanin më të shquar në Kosovë. “The Guardian” bën një grafi të ngjarjeve historike të luftës dhe periudhës pas saj, duke prekur edhe rolin e tij në këto zhvillime e deri tek arrestimi nga Dhomat e Specializuara të Hagë.
“Javën e kaluar, Thaçi, i cili shërbeu si kryeministër dhe president i Kosovës, u ul në bankën e të akuzuarve të një gjykate të Hagës së bashku me tre kolegë të spikatur të tij, të gjithë të akuzuar për krime lufte të kryera gjatë konfliktit, duke përfshirë bashkëpunimin në vrasjen e 102 personave”, thuhet në shkrim.
Pretendohet se viktimat përfshinin përkrahës të LDK-së, civilë serbë dhe romë, të cilët u mbajtën në kushte çnjerëzore në selinë e UÇK-së, dhe iu nënshtruan torturave e në disa raste edhe u ekzekutuan, theksohet më tej.
Për “The Guardian”, ky proces gjyqësor pritet të rishkruajë historinë. “Gjyqi, i cili nisi dy vjet pasi këto burra u dorëzuan në juridiksionin e gjykatës dhe pritet të zgjasë deri në gjashtë vjet, tashmë duket i sigurt se do të rishkruajë historinë e konfliktit.
Procedurat, thellësisht të papëlqyeshme në Kosovë dhe Shqipërinë fqinje, kujtojnë periudhën e konfliktit brutal midis viteve 1998 dhe 1999, ku organizatat e armatosura serbe dhe kosovare kryen krime lufte në kontekstin e kryengritjes së armatosur të UÇK-së dhe reagimit ushtarak të Beogradit”, theksohet mes të tjerash në artikull.
Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë në paraburgim në Hagë, prej nëntorit të vitit 2020.Ata janë deklaruar që të gjithë të pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tyre.