Mero Baze
Në muajin nëntor, kur Gjykata e Shkallës së Parë vendosi heqjen e masës së sigurisë për Sali Berishën, nuk pati komente juridike rreth vendimit. Të vetmet komente ishin ato politike, të ardhura nga selia e Partisë Demokratike.
Dy shpjegime dha PD për vendimin e gjyqtares që i hoqi masën e sigurisë Sali Berishës. I pari, që dominonte mbi të gjitha arsyet dhe, natyrisht, mbi mungesën e logjikës, ishte se vendimi pasoi fitoren e presidentit Trump në SHBA. Kjo u tha pa pikë dyshimi, që nga Sali Berisha e deri te militanti i fundit i PD-së. Natyrisht, lista e kandidatëve për deputetë e përsëriste në kor.
Arsyeja e dytë politike, që ata predikonin, ishin “tre rezolutat” — një shpikje e padëgjuar më parë, që nënkuptonte se partitë popullore në Evropë, Azi dhe SHBA nuk kishin kundërshtuar rezolutat e PD-së që kërkonin lirimin e Sali Berishës. Rezoluta e Kamboxhias ishte më e forta mes të trejave.
Vendimi i sotëm, i cili nga pikëpamja juridike është plotësisht i mbështetur tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese, rrëzon pretendimin e Berishës se caktimi i masës së sigurisë “detyrim paraqitje” duhej të kalonte nga Kuvendi. Praktikisht, ky vendim i jep legjitimitet masës së parë të sigurisë, pra detyrimit për paraqitje. Në këtë pikë nuk ka çfarë të diskutohet.
E vetmja gjë që mund të diskutojmë tani është se si do të ndikojnë në të ardhmen juridike të Berishës ato “tre rezolutat” dhe fitorja e Presidentit Trump.
Nëse fitorja e Presidentit Trump ndikoi vendimin e gjykatës në fund të nëntorit, nuk ka arsye të mos ndikojë edhe në fillim të janarit, aq më tepër që jemi më afër datës së inaugurimit të presidentit. Dhe këtu debati duhet të jetë logjik, edhe pse kjo është një gjë e ndaluar në mjediset e PD-së.
Unë besoj se fitorja e Presidentit Trump mund të ndryshojë disi qasjen ndaj reformës në drejtësi dhe raporteve të politikës me drejtësinë, por jo në raport me individët. Ndryshimet pritet të jenë në drejtim të efikasitetit të drejtësisë dhe metodave më transparente të përdorura në proceset hetimore.
Sali Berisha e shpiku gënjeshtrën e Trumpit me shpresën se do të mobilizonte mbështetësit e tij duke ua paraqitur atë si shenjë ndryshimi politik. Vendimi i sotëm e ka asgjësuar këtë taktikë dhe ka rrëzuar gënjeshtrën më të rëndësishme politike të tij në lidhje me procesin ndaj tij.
Sa për “tre rezolutat,” ato natyrisht mund të jenë harruar edhe nga vetë ata që i kanë thënë, por sërish dëmtojnë rëndë PD-në. Kjo i tregon mbështetësve se vendimi i gjykatës nuk ishte rezultat i Trumpit apo i partive të djathta evropiane, aziatike dhe amerikane, por thjesht një vendim i pavarur juridik.
Ky është dëmi më i madh që vendimi i sotëm i ka shkaktuar Sali Berishës. Sa për paraqitjen dy herë në muaj, nuk besoj se është problem për të, pasi është një mundësi për të zhvilluar dy konferenca shtypi në muaj para SPAK-ut. Pranimi i vendimit prej tij tregon se herën e parë nuk kishte të bënte me bindjen, por me interesin për të marrë masën “arrest shtëpie” dhe për të krijuar një lëvizje politike poshtë dritares.
Tani, tre muaj fushatë mund t’i bëjë si t’i bëjë. Pas kësaj, dihet se çfarë do të thotë kur të humbasë.