Një gjykatë në Moskë ka lëshuar fletarrestim për Svetlana Valeryevna Timofeyeva, të dhënat personale të së cilës përkojnë plotësisht me të dhënat e shtetases ruse të arrestuar në Shqipëri, nën akuzat për spiunim.
Gjykata në distriktin Meshçasky, ka thënë më 26 gusht se ka shtuar Timofeyevan, e cila është akuzuar se në mënyrë të paligjshme ka siguruar informacion të klasifikuar në listën e personave që kërkon nëpër botë, shkruan media ruse RBC.
Shërbimi për shtyp i Gjykatës së Qarkut Meshchansky i tha RBC se Timofeeva Svetlana Valeryevna u arrestua në mungesë për dy muaj nga data e transferimit në agjencitë e zbatimit të ligjit.
Data e saj e lindjes, 18 mars 1989, përkon me datën e lindjes së fotografes-blogeres Svetlana Timofeeva e ndaluar këtë javë në Shqipëri.
Svetlana Timofeyeva u arrestua më 20 gusht në Shqipëri pasi bashkë me dy shtetas të tjerë, një rus dhe një ukrainas pasi tentuan të hynin në uzinën e armëve në Gramsh.
Mbi dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe ukrainasin Fiodor Mihailoviç rëndojnë 2 akuza; “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Goditja për shkak të detyrës”.
Incidenti në Gramsh
Dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç u arestuan mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Teksa tentuan të futeshin në uzinë ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë.
Në dëshminë e tyre, shtetasit e huaj kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.
Tashmë mbi ta rëndon zyrtarisht akuza e “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”.
Për këtë ngjarje ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh një ditë më parë se rasti po hetohet me seriozitet dhe se nuk përjashtohet të jetë bërë për të tërhequr vëmendjen nga një ngjarje tjetër.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi u shpreh se hetimet vijojnë. Nga opozita nuk mungojnë akuzat dhe theksohet se është cenuar siguria kombëtare.