Prokuroria Speciale ka prerë këtë të martë një urdhër-arresti për Aleksandër Lahon, i njohur dhe me emrin Pëllumb Muharremi e “Rrumi” i Shijakut.
Laho akuzohet nga SPAK për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit, mijëra m2 tokë në bregdet.
Një muaj më parë, ky shtetas është shpallur në kërkim dhe nga Policia e Durrësit, pasi akuzohet se në bashkëpunim me disa persona të tjerë kishte planifikuar rrëmbimin e dy vëllezërve Indrit dhe Gentjan Beqiraj në autostradën Tiranë-Durrës. Deri tani nuk është mundur të gjendet.
Përsa i përket urdhër-arrestit të prerë nga SPAK, mësohet se në duart e prokurorëve është një video e regjistruar që tregon Aleksandër Lahon dhe një zyrtar shtetëror duke negociuar tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
Videoja ra në duart e Prokurorisë së Posaçme pas atentatit të bujshëm ndaj Aleksandër Lahos dhe prokurorit Arian Ndoja, i ndodhur pasditen e 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës.
Përveç tokës me sipërfaqe prej 45 mijë metrash katrorë, “Rrumi” i Shijakut dyshohet se qëndron edhe pas tjetërsimit të 14 parcelave të tjera në zonën e Gjirit të Lalzit, përmes një skeme masive falsifikimi dhe korruptimi të zyrtarëve publikë.