Gjykata e Lartë e Rumanisë i hoqi kufizimet kundër gjahtares së korrupsionit, Laura Kövesi. Për manipuluesit notorikë të së drejtës në Rumani kjo është një disfatë me pasoja, mendon Robert Schwartz
Ja që drejtësia e pavarur ende ekziston në Rumani. Të paktën pjesërisht. Qeveria e supozuar social-liberale nuk ka arritur ende që t’i neutralizojë të gjitha institucionet. Ky është lajmi i parë i mirë nga Bukureshti. Gjykata e Lartë i eleminoi me efekt të menjëhershëm të gjitha kufizimet e lirisë dhe të udhëtimit, të cilat një “njësi e posaçme” e prokurorisë i pati vendosur kundër Laura Kövesit një javë më parë. Ish-drejtuesja e autoritetit rumun kundër korrupsionit DNA mund të udhëtojë në këtë mënyrë në Bruksel, ku këto ditë do të vendoset për postin e shefit të Prokurorisë së BE që planifikohet, post për të cilin ajo është favorite e qartë nga Parlamenti Evropian.
Pozicione të përbashkëta të partnerëve perëndimorë
Lajmi i dytë nuk është më pak i rëndësishëm: edhe qëndrimi i përbashkët, i vendosur i partnerëve ndërkombëtarë të Rumanisë ekziston ende. Këtu duhet përmendur më parë letra e dymbëdhjetë ambasadorëve nga Evropa Perëndimore – midis tyre edhe e gjermanit. Në të paralajmërohet me këmbëngulje që të mos ndërmerren përpjekje të tjera, për ta vënë drejtësinë nën kontroll politik.
Tone të ngjashme të shqetësuara u dëgjuan thuajse njëzëri edhe nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Këto janë përpjekjet e fundit, gati të dëshpëruara për ta sjellë në vete qeverinë e Bukureshtit, përpara vendosjes së sanksioneve. Kjo do të ishte një premierë, që një vend anëtar, gjatë presidencës vetjake të Këshillit Evropian të ndëshkohej me nenin 7, të ashtuquajturën “çomangë bërthamore të BE”, mjetin e fundit dhe më të ashprin.
Një referendum synohet të shpëtojë shtetin juridik
Deri tani, shoqëria civile dhe presidenti liberal-konservator Klaus Iohannis kanë mundur që të tërheqin, si të thuash në sekondën e fundit, frenën e emergjencës. Por vrullin antievropian të manipuluesve në qeveri ata nuk qenë në gjendje ta ndalojnë krejtësisht.
Këtë të enjte, Presidenti Klaus Iohannis bëri edhe një hap tjetër: në ditën e zgjedhjeve të Evropës (26 maj) rumunët do të votojnë në një refendum nëse duan të qeverisen edhe më tej nga politikanë të korruptuar dhe të dënuar. Dhe nëse qeveria duhet ta ketë mundësinë që ta nënshtrojë drejtësinë politikisht me dekrete emergjente./DW/