Deputetët socialistë hodhën dje në kuti zarfet me tre emra për presidentin e ri, ndërkohë që kryeministri Edi Rama e ka shfrytëzuar mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të kritikuar kundërshtarët.
Kështu, teksa ishte duke folur në mbledhje, kryeministri Edi Rama theksoi disa herë në krye të shtetit duhet një njeri normal, duke shigjetuar vazhdimisht Ilir Metën, të cilin e quajti skandaloz.
Sipas Ramës, Partia Socialiste ka përgjegjësinë që këtë herë t’i japë Shqipërisë një president me integritet dhe kërkoi përfshirjen e të gjithë deputetëve me propozimet e tyre. Kreu i qeverisë u zotua se procesi do të jetë serioz dhe i vërtetë.
“Ajo çka e bën këtë moment shumë përcaktues për karakterin dhe profilin e PS është se nuk mjafton thjeshtë të zgjedhim një person që do të ishte më i përshtatshëm për atë rol sesa Ilir Meta.
Por, është që të zgjedhim një figurë që të ketë integritet, që të garantojë respekt të ndërsjellë, që të sigurojë një nivel profesionalizmi në adresimin e të gjithë gamës së çështjeve që lidhen me presidentin sikundër edhe të përçojë një frymë.
Këtu sfida vështirësohet dhe këtu përzgjedhja është shumë më e ngushtë sesa çdo të ishte në një sy të parë përzgjedhja e një pasuesi të presidentit më skandaloz që ka njohur historia e atij institucioni dhe më të papërsëritshëm në llojin e vet që Shqipëria ka pasur rastin ta këtë mbi krye”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama, ka vijuar sulmet ndaj Metës, ndërsa u ndal dhe tek vlerësimet që Presidenti ka bërë për figura të ndryshme të vendin tonë.
Sipas tij, Meta e ka bërë vendin qesharak pasi dekoron figurat që kanë ndërruar jetë.
“Sistemi i titujve të medaljeve është sistem i njohur, nuk ka 100 sisteme dhe është o njëri o tjetri, Shqipëria bën një përjashtim flagrant dhe është i vetmi vend në botë ku falë Metës dekorohen të vdekurit dhe u jepen titujt dëshmorëve të Ilir Metës.
Kjo do të ndryshojë, është e rëndësishme për shtetin, për seriozitetin e një shteti dhe do kemi një shtet më serioz duke pasur një figurë më serioze, një ligj për institucionin e presidentit, një sistem titujsh e medaljesh serioz, siç e ka gjithë planeti”, tha Rama.
Rama sulmon Kushtetuesen
Ndërkohë, gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar socialist, kryeministri Edi Rama komentoi dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos shkarkuar presidentit Ilir Meta.
Sipas Ramës, Kushtetuesja e konfirmoi shkeljen e kreut të shtetit, por nuk e konsideroi atë të të rëndë për ta larguar nga detyra.“Shqipëria mund ta zgjedhë një president nga populli nëse ndryshon Kushtetutën dhe i jep presidentit disa instrumente që ka peshën dhe zërin e vetë, bazuar në atributet që i jep kushtetuta dhe që nuk bëhet qesharak dhe i rrezikshëm duke rrëshqitur nga kushtetuta.
Ilir Meta shkeli Kushtetutën, këtë gjë e konfirmoi dhe Gjykata Kushtetuese, duke konfirmuar drejtësinë e vendimit të Kuvendit, por duke e lënë në mes të rrugës vendimin e vetë, pasi e konsideroi jo mjaftueshmërisht të rëndë shkeljen e presidentit. Se çfarë duhet të bënte më shumë Ilir Meta që të shkarkohej kjo mbetet një enigmë që nuk do ta mësojmë kurrë”, deklaroi Edi Rama.