I kishte kërkuar një “dëmshpërblim” prej 150 mijë euro një biznesmeni për të mos i treguar bashkëshortes së tij për marrëdhënien e tyre të fshehtë të dashurisë: gruaja 42-vjeçe nga Treviuzo, Sara Andretta është arrestuar nga policia e Padovës, Itali, për tentativë zhvatjeje. Në një ‘e-mail’ dërguar ish-të dashurit tashmë, gruaja shkruante: “Jam shumë inteligjente, përveç se e bukur. Por parapëlqej ta cilësoj veten diabolike. E kam pasur të qartë gjithnjë objektivin tim”.
Ai, një biznesmen nga Padova 54 vjeç, kishte nisur një marrëdhënie jashtëmartesore me të hetuarën, duke shpenzuar rreth 30 mijë euro mes darkave, dhuratave dhe qëndrimeve në hotel. Gruaja ishte punësuar në prill 2017 në kompaninë e Paolo P., industrialist padovan.
Por gjithçka është përshkallëzuar me fundin e shpejtë, por historinë intensive të dashurisë dhe fundin e marrëdhënieve me punën. “Saktësisht, që kur skadoi kontrata, 30 mars, – ka shkruar biznesmeni. – Ka përfunduar me vullnet të zonjës. Ajo ka shtuar se nuk pretendon asgjë nga kompania ime. Duke nisur që nga tetori kishim nisur një marrëdhënie jashtë sferës së punës, por që në dhjetor gjërat degjeneruan, sepse ajo thoshte se nuk donte të ishte e dyta e askujt, duke lënë të kuptohej qartë për faktin se duhet të ndahesha nga bashkëshortja ime”.
Në momentin që burri tentoi të dalë pa lagur nga kjo situatë, ish-e dashura e tij ka reaguar duke i kërkuar 150 mijë euro për të blerë heshtjen e saj, edhe për të mos zbuluar sekrete të aspektit ekonomik.
Biznesmeni i është drejtuar kështu karabinierëve, me të cilët ka planifikuar dorëzimin e 20 mijë eurove, kësti i parë i shumës së kërkuar.
Në takim, përveç të dyve, në një pikë karburanti në Padova, ishin edhe agjentët, të cilët ndaluan 42-vjeçaren, e cila sapo tërhoqi paratë. Aksioni shantazhues i gruas, ka zgjatur disa javë me kërcënime të bëra me zë dhe me sms në celularin e biznesmenit.
“Po ç’zhvatje, pasi mbeta pa punë, më tha se do të më ndihmonte dhe nuk e bëri”, – ka replikuar ajo para gjykatësit në Padova, që i ka hequr masën e “arrestit shtëpiak”, duke e detyruar ama të mos i afrohet ish-të dashurit.
“Do të jetë gjithnjë e më keq për ty P.P.! Seks për gjithë këta muaj me vetëm 1.500 euro në muaj? Të bëra edhe një kërkesë pune specifike dhe as t’u bë vonë fare. Qesh mirë kush qesh i fundit”, – shkruante 42-vjeçarja në një letër-kërcënuese. “Mund edhe të të fal, – ishte nervozuar sërish ajo në një ‘email’ drejtuar atij. – Të shohim, nuk kam topin e kristaltë. Jam vetëm shumë inteligjente, përveç se e bukur, të paktën kështu thonë. Por unë parapëlqej të jem diabolike…E kam pasur gjithnjë të qartë objektivin tim”.
I zënë ngushtë, biznesmeni i ka rrëfyer tradhtinë bashkëshortes dhe ka bërë denoncim te karabinierët, duke regjistruar edhe një bisedë telefonike që do t’ia japë hetuesve: “Atë ditë më tha se merrte para nga meshkujt e saj për udhëtime dhe më tregoi një bllok shënimesh ku kishte shkruar kalimin e ‘150 mijë eurove brenda 5/6 qershorit dhe 320…’ Asnjëherë nuk më kishte thënë se donte të paguhej për marrëdhënien tonë”.
Sipas karabinierëve, gruaja, “kohët e fundit kishte blerë një Mercedes 35 mijë euro. Veshje të shumta dhe këpucë të markave të njohura që nuk justifikonin të ardhurat që merrte. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe viktima të tjera”. Prokuroria po vijon hetimet. Por Prokurori i çështjes do të kërkojë gjykim të shkurtuar për akuzën e zhvatjes ndaj biznesmenit.