Shqipëria, prej vitesh, është kthyer në një nga destinacionet e preferuara për pushime verore nga turistët serbë, duke u bërë po aq i njohur sa Greqia, Turqia, Mali i Zi dhe Egjipti, shkruan media serbe “Serbian Monitor”.
Një nga faktorët kryesorë pse turistët serbë zgjedhin bregdetin shqiptar, “është çmimi i pushimeve në tokën shqiptare”, vijon “Serbian Monitor”.
Ndërkohë, sipas Dragan Subotiç, përfaqësues i nismës TAS (Agjencitë Turistike të Serbisë), vihet re një interesim më i lartë i pushuesve nga Serbia për Shqipërinë.
Në një intervistë për median serbe, “Biznis.rs”, ai shpjegon se, në dy vitet e fundit, për shkak të masave anti-COVID, turistët kanë pasur një numër të kufizuar destinacionesh pushimesh, ndërkohë që, gjatë asaj periudhe, Shqipëria kishte kushte shumë të ndryshme hyrjeje.
“Kjo është pikërisht arsyeja pse Shqipëria u shfaq në tregun tonë”, thotë Subotiç, i cili shton edhe se njerëzit nga Serbia, të cilët kishin vizituar një herë Shqipërinë, ishin larguar me përshtypje pozitive, “për t’u rikthyer sërish”.
“Si në sezonet e mëparshme, njerëzit nga Serbia janë mjaft të interesuar për pushimet verore në Shqipëri”, ravijëzon ai.
Sakaq, sipas “Serbain Monitor”, turistët serbë qëndrojnë kryesisht shtatë deri në 10 net në plazhet e Shqipërisë.
“Rajonet më interesante për pushimet verore janë Durrësi, Ksamili dhe Saranda, nga të cilët kjo e fundit kufizohet me Greqinë”, thotë Subotiç.
Sa u përket çmimeve, përfaqësuesi i nismës TAS shtjellon se kjo varet sa nga periudha, nevojat, apo dëshirat e turistëve, pasi “mund të gjesh akomodim duke filluar nga një apartament i thjeshtë deri te hotelet më luksoze”.
Në përmbyllje, ai thekson edhe se darka në restorant është shumë më e lirë se në Beograd dhe Novi Sad, ndërkohë që turistët ndihen plotësisht të sigurt në Shqipëri.