Gazeta gjermane “Bild” ka shkruar se futbollisti shqiptar Mërgim Berisha po shihet si lojtar potencial dhe i motivuar për ta dëshmuar veten edhe në nivel të përfaqësueses dhe për këtë arsye tashmë është në planet e trajnerit Hansi Flik. Ai do të ftohet këtë vit për ndeshjet miqësore që Gjermania ka planifikuar t’i luajë në fund të muajit mars kur edhe fillon cikli eliminator për “Euro 2024”.
Gjermania pritet të përballet me Francën dhe Japoninë, ndeshje këto ku pritet të debutojnë lojtarët e rinj, përfshirë edhe Berishën. “Përfaqësuesja e Gjermanisë tashmë e ka fokusin për të gjetur lojtarët e rinj që janë plotësisht të motivuar dhe mund ta ndihmojnë ekipin.
Pra, të zhvillohen dhe të bëhen gati për Kampionatin Evropian përkrah lojtarëve me përvojë. Fokusi tashmë është tek disa prej tyre siç janë Joshua Vagnomen, Kevin Shade dhe sulmuesi Mërgim Berisha”, shkruan “SportBild”. Berisha ka qenë kandidat potencial për t’u ftuar te Gjermania edhe në të shkuarën, por nuk ndodhi.
Ai para fillimit të këtij sezoni është transferuar në Bundesligë, pasi Augsburgu e huazoi për një vit nga Fenerbahçe me të drejtën e blerjes në verë. Në dhjetë ndeshje të luajtura ka shënuar 4 gola dhe ka bërë 4 asistime. Berisha ka luajtur për Përfaqësuesen U-21 të Gjermanisë me të cilën e ka fituar titullin e Evropës në vitin 2021. Në 13 paraqitje në total për këtë gjeneratë, ai ka shënuar 1 gol.
Sa i përket karrierës si senior, Berisha e ka filluar te skuadra austriake Liefering, ndërsa ka luajtur edhe për Salzburgun, LASK-un, Magdeburgun e Altachin.
Megjithatë, sukseset më të mëdha i ka shijuar me fanellën e Salzburgut, ekip me të cilin ka fituar 4 tituj kampioni dhe 3 kupa të Austrisë. Berisha ka kontratë me Fenerbahçen deri në vitin 2025, por Augsburgu do të shfrytëzojë opsionin e blerjes për 6 mln euro.