Presidenti Ilir Meta duket se ka hyrë në sherr me të gjithë ndërkombëtarët. Pak ditë më parë, Meta i sulmoi hapur ndërkombëtarët, sidomos Bashkimin Europian dhe Misionin Euralius, sa i takon reformës në drejtësi. Ndërkohë që, të njëjtin reagim të ashpër dhe të njëjtat doza “kërcënimi”, kreu i shtetit shqiptar ndoqi edhe ndaj amerikanëve, të cilëve iu bëri të qartë se ai nuk ka frikë dhe se nëse duan zgjedhje një partiake të shkojnë në Korenë e Veriut, se në Shqipëri ai nuk do ta lejojë diçka të tillë. Por ditën e djeshme, ndërkombëtarët i kanë dhënë një tjetër goditje Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Ka qenë ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz, e cila ka dalë hapur kundër deklaratës së presidentit Meta, duke thënë se Parlamenti aktual është legjitim. Gjatë një prononcimi për mediat, zonja Schütz theksoi se Parlamenti i ri i formuar me deputetë të rinj, pas djegies në bllok të mandateve nga PD dhe LSI është krejtësisht legjitim, ashtu sikurse edhe kjo qeveri.
“Respektojmë vendimin e secilit deputet dhe të pasuesve të tyre në lista për dorëzimin, pranimin apo refuzimin e mandateve. Njëkohësisht, theksoj, se në demokraci parlamenti është vendi kryesor për zhvillimin e debatit politik mes partive politike. Qeveria Federale do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe në të ardhmen me qeverinë aktuale të legjitimuar në mënyrë demokratike si dhe mbajtësit e mandateve në Kuvend”, deklaroi ajo.
Kujtojmë që pak ditë më parë, pasi mazhoranca votoi me 100 vota pro projekt-rezolutën e PS-së për shkarkimin e tij, Meta tha se është votuar nga një tjetër Parlament, jo ky aktual, teksa theksoi se po mban shënim të gjitha institucionet që nuk zbatojnë dekretin e tij për anulimin e 30 Qershorit. Pra, ky reagim i ambasadores Schütz është një “shuplakë” kundër Metës.
SPAK, të ngrihet sa më parë
Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schütz vijoi më tej gjatë fjalës së saj teksa e ka vënë theksin në krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat, sipas saj, do të ndikonin pozitivisht për të marrë në tetor dritën jeshile nga Bashkimi Europian për çeljen e negociatave. Në këtë kontekst, zonja Schütz bëri apel, madje kërkoi që prioritet të ketë ngritja e Strukturës së Posaçme Anti-korrupsion, institucion kyç i reformës në drejtësi.
“Shqipëria gjendet përpara vendimmarrjes së rëndësishme të Bashkimit Evropian lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ndaj tani nuk duhet humbur kohë, në mënyrë që reformat e nisura të vijojnë më tej dhe të arrihen rezultate të tjera konkrete në pesë prioritetet kyç. Përshëndes faktin që – edhe pse ngadalë- reforma në drejtësi po ecën përpara në mënyrë të pandërprerë.
Ajo është një sukses; ndaj procesit të reformave nuk ka alternativë, ai është i pakthyeshëm dhe unik në rajon. E rëndësishme është që edhe Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, si instrumenta të rëndësishëm korrektivë të shtetit ligjor, të mund të jenë së shpejti sërish funksionale.
Në këtë kontekst përpara duhet të çohet edhe ngritja e strukturës së SPAK-ut”, nënvizoi ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schütz.