Qeveria greke do të ketë të njëjtin qëndrim për çeljen e negociatave si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut në samitin e 18 tetorit. Kështu pohoi zëdhënësi i qeverisë Stelios Pecas. Pas diskutimeve me Bashkimin Europian qëndrimi ynë është i qartë: nuk ka ndarje për perspektivën europiane mes Shqipërisë dhe Maqedonisë se Veriut.
Nuk do të hapet asnjë kapitull negociatash për Maqedoninë e Veriut me Bashkimin Europian nëse nuk respektohen interesat e Greqisë. Siç e dini pritet një procedurë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të shohim si do të shkojë në vijimësi. Këto deklarata të Athinës zyrtare vijnë vetëm një ditë pasi ministri i jashtëm grek Nikos Dhendhias u takua në Berlin me homologun gjerman Heiko Maas. Sipas njoftimit të ministrisë së jashtme gjermane, Greqia ndan qëndrim të unifikuar me Gjermaninë duke mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj europiane si dhe një Ballkan Perëndimor paqësor, thuhet me tej ne raportimin e Vizion Plus. Athina zyrtare bëri të ditur ndërkohë se në Nju Jork gjatë punimeve të asamblesë së përgjithshme të OKB javën e ardhshme, kryeministri grek Kiriakos Micotakis do të takohet me presidenti amerikan Donald Trump më 24 shtator si dhe me atë turk Taip Erdogan. Gjithashtu pritet zbardhja e axhendës për takimet me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe atë maqedonas Zoran Zaev.