Nga: Artan Gjyzel Hasani
Hija e zezë e lavdisë: Një rrëfim pa dëshmitarë!
Kjo është një histori e vërtetë të cilën unë nuk mund ta provoj para jush si të tillë. Dëshmitarët e besueshëm kanë vdekur prej kohësh, ndërsa një dëshmitar disi më i parëndësishëm sapo ka mbushur të nëntëdhjetat. Kur t’i arrini deri në fund këtij rrëfimi, nuk kërkoj prej jush ta besoni. As nuk mëtoj të zhbëj gjëra që nuk mund të zhbëhen. As të krijoj zhurmë mediatike apo sensacion. Por, kërkoj veç një gjë: të mendoni që e vërteta mund të jetë edhe kështu siç po ua tregoj. Kaq do të më mjaftonte.
Sa ishte gjallë im atë nuk donte t’ia zinim në gojë këtë histori. Pas vdekjes së tij jam matur disa herë ta shkruaj në trajtë tregimi, por nuk e kam bërë. Gjithnjë kam pritur momentin kur do ta rrëfeja ashtu siç ka ndodhur. Dhe, po e bëj sot.
Historia zë udhë në verën e vitit 1976 në Tiranë. Fillon me një tregim. Një tregim të cilin im atë do ta shkruante për këngëtarin Mentor Xhemali, zëri i të cilit e magjepste. Ideja i kish ardhur pas një bisede me të njohurin e tij, këngëtarin Avni Mula, që i kishte treguar detaje interesante nga jeta e panjohur e Mentor Xhemalit. Me ndërmjetësinë e Avniut u realizua një takim me Mentorin, të cilit i pëlqeu ideja që dikush donte të shkruante një tregim për të. Takohen disa herë, shkojnë në vendin ku basi ynë i ardhshëm i kishte rënë në sy dikujt për herë të parë për zërin e tij, pikërisht në portin e Sarandës, ku kishte punuar si hamall në moshën 18-vjeçare. Pasi kishte shpenzuar edhe qindarkat e fundit hoteleve e restoranteve me Mentorin, im atë kthehet në shtëpinë tonë në Peshkopi dhe ulet të shkruajë për net me radhë.
Si tani e kam parasysh kënaqësinë me të cilën ia lexonte çdo mëngjes sime mëje atë që kishte shkruar gjatë natës. Tregimi mbaroi dhe doli një dorëshkrim 30 faqesh të daktilografuara. Mentor Xhemali ishte përlotur kur kish lexuar tregimin në dorëshkrim. Dy shokët e vjetër të tim eti, Adriatik Kallulli dhe Vath Koreshi, e kishin pëlqyer. Gazeta “Drita”, ku punonte Vathi, e kishte refuzuar botimin pasi ishte shumë tregim i gjatë për një format gazete. “Do ta botoj te revista ‘Nëntori’ në disa numra rresht”, kishte premtuar Vath Koreshi dhe kishte marrë dy kopjet e shtypura të tregimit.
Kaluan muaj, dhe tregimi nuk po botohej. Telefonatat e tim eti me Vathin ishin rralluar duke pasur parasysh edhe natyrën e ndrojtur të tim eti kur ishte puna për të kërkuar ndere e favore nga të tjerët, qofshin këta edhe shokë te tij. Kaloi edhe viti 1977 dhe asgjë prej gjëje. Im atë nuk i telefonoi më Vathit. Ishte neveritur e lodhur nga pritja e gjatë.
Atë vit Mentor Xhemali doli në pension dhe do kishte qenë dhuratë shumë kuptimplotë botimi i atij tregimi pikërisht ato ditë. Por, nuk ndodhi. Ndërkohë Vathi ishte larguar nga redaksia e “Dritës” dhe kishte filluar punë si skenarist në Kinostudion e vetme filmike shqiptare.
Një mbrëmje të fundvitit 1978, ndërsa po hanim darkë, shohim që në televizion filloi të shfaqej filmi i ri “Gjeneral Gramafoni” që akoma edhe sot konsiderohet si një ndër majat e kinematografisë shqiptare. Skenarist i filmit Vath Koreshi. Në një moment dëgjuam zërin e fikur të tim eti: “Po ky qenka tregimi im!”. Ishte zverdhur në fytyrë dhe mbuluar nga djersë të ftohta. Nuk e harroj kurrë atë moment. Kishim mbetur të shtangur të gjithë në shtëpi. I telefonon të nesërmen Vathit. “Gjyzel, nuk kisha ç’të bëja, nuk e botova dot askund, ia propozova Viktor Gjikës, por ai sapo pa emrin tënd të panjohur e refuzoi pa e lexuar, e kështu sa të qëndronte i vdekur në sirtar e ndryshova pak, hoqa Mentorin dhe futa një klarinetist personazh, i futa edhe ca linja të tjera dhe e përshtata për skenar filmi.”
Pasi uli receptorin babai mori dorëshkrimin origjinal të tregimit dhe e grisi copë-copë.
Për shumë vite me radhë nuk e kuptova pse e kishte grisur origjinalin, të vetmen provë të shkruar. Ky ishte edhe fundi i miqësisë së vjetër të tim eti me Vath Koreshin. Një zhgënjim vr astar që e shoqëroi derisa iku nga kjo botë. Nuk shkruajti kurrë më pas letërsi artistike.
Kur ia hapja këtë bisedë shumë vite më vonë dhe i thosha që duhet shkruar kjo histori, më përgjigjej: “E kush do të të besojë? Ku e ke dorëshkrimin origjinal? Si do ia vërtetosh publikut që isha unë autori?” “Po pse e grise origjinalin?”, e kisha pyetur, ndërsa kujdesesha për të gjatë kohës që lëngonte në shtrat para vdekjes. “Nuk më duhej më. Nuk e kam menduar kurrë ta diskreditoja Vathin në publik. Kemi qenë shumë shokë. Nuk më besohet akoma se si ma bëri atë gjë…”
Mbetet mister se si pranoi Mentor Xhemali të merrte pjesë me zërin e tij në xhirimet e këtij filmi me atë skenar që në origjinal ishte shkruar veç për të! Im atë nuk e takoi kurrë më pas. Prej kohësh Mentori, Vathi dhe im atë nuk jetojnë. A kanë pasur dijeni njerëz të tjerë për këtë histori? Ata miq e shokë të tim eti që e dinin nuk jetojnë më. Adriatik Kallulli, Jorgo Bllaci, Herkul Tartari, doktor Lame Koçi, gazetari Fatos Cekodhima janë disa prej tyre. Jo fort i sigurt, por mbase e di Skifter Këlliçi që akoma jeton… Po ç’rëndësi ka, unë nuk pres të ma pohojë askush pasi jam vetë dëshmitar i tërë kësaj meseleje.
Më erdhi ndërmend sot kjo histori e vjetër dhe po mendoja: Vërtet im atë e grisi dorëshkrimin origjinal, por është vetë skenari vjedhur i filmit që e jep provën. Në film flitet për një muzikant, klarinetist, që e kanë regjistruar italianët gjatë pushtimit në pllaka gramafoni. Në realitet kjo ka ndodhur, por me hamallin Mentor Xhemalin, dhe me asnjë lloj klarinetisti dhe pikërisht ky detaj ka qenë edhe boshti rreth të cilit ngrihej tregimi i tim eti. I regjistruan Mentor Xhemalit në një pllakë gramafoni këngë të njohura italiane të asaj epoke dhe në anën tjetër të pllakës këngë popullore përmetare. Pa orkestër. Veç me zërin e tij. I regjistruan për provë se donin t’ia çonin shtëpisë diskografike në Milano që ta vlerësonte nëse ia vlente. Por, pak muaj më pas Mentori iku në Durrës e që andej doli partizan. Ky fakt mbetet e vetmja provë që unë sjell për ju në këtë histori të trishtë, të cilën nuk kërkoj ta besoni si të vërtetë, por të mendoni se edhe mund të jetë e vërtetë…/Telegrafi/