Policia e Shkodrës ka bërë të mundur gjetjen e motoçikletës më të cilën udhëtonte autori i atentatit ndaj Drejtorit të Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe, Mentor Hasanaj.
Burimet bëjnë më dije se motoçikleta është gjetur vetëm disa metra nga vendi ku është kryer atentati, në rrugën e pompave të ujësjellësit që të dërgon në zonën e Livadeve.
Mësohet se motoçikleta është gjetur rreth orës 18:00.
Policia ka arritur të bjerë në gjurmët e mjetit pas kërkimeve me metoda të specializuara, ku burime pranë grupit hetimorë tregojnë se për gjetjen e mjetit dhe kërkimin e autorit të kësaj ngjarje janë përdorur edhe dronë, ndërkohë që ende blutë e Shkodrës janë në kërkim dhe po punojnë për identifikimin e autorit të kësaj ngjarje të rëndë.
Nga ana tjetër, bëhet me dije se në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar tre persona të cilët dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen e rëndë, e cila tronditi Shkodrën mesditën e së dielës.