Vështirë të gjendet një pushtetar dhe ish pushtetar tjetër në Shqipëri që të jetë përfolur më shumë se sa Damian Gjiknuri për përfitim të parave dhe pronave publike, konensione klienteliste, shkatërrim të mjedisit, krime zgjedhore dhe lidhje me oligarkë rusë.
Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës doli në dosjen 184 të krimit zgjedhor në Dibër, dyshohet se fshihej bashkë me Bashkim Ulajn pas kompanisë mashtruese Dh Albania që mori rreth 30 milionë euro para publike me dokumente false, u zbulua se ka udhëtuar në vende ekzotike me dyshen e inceneratorëve Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, akuzohet se qëndron pas privatizimit të një pjese të Butrinit për të ndërtuar një resort si investitor strategjik etj.
Gjiknuri dyshohet se fshihet pas ‘urithit’ Lorenc Gjukuria që po shkatërron Jugun e vendit me gërmime të paligjshme dhe përlan dhjetëra milionë euro me tendera klientelistë.
Damian Gjiknuri ka një pasuri përrallore të deklaruar, me burime të dyshimta, duke operuar me të njëjtat skema si Adriatik Llalla, me të ndryshimin e vetëm se Llalla u dënua, ndërsa Gjiknuri po përgatit ‘tërmetin’ e radhës.
Klani Gjiknuri-Filaj-Bele
Rrethana, fakte dhe rrëfime konfidenciale konfirmojnë se Damian Gjiknuri kontrollon me delegim edhe një rrjet kompanish, përfituese të koncesioneve dhe pasurive publike, si dhe me lidhje me oligarkët rusë, për të cilët qeveria shqiptare ka vendosur t’u bashkohet sanksioneve të Perëndimit, edhe zbatimi i masave ka mbetur vetëm në letër.
Në skenën e dokumenteve shfaqet gjitnjë e më shumë Gentjan Filajn, një njohje e vjetër dhe bashkëpunëtor i ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Energjisë Koli Bele, njeriut hije i aferave të Damian Gjiknurit me lejet për HEC-e mbi Vjosë dhe zona të tjera të mbrojtura, puset e naftës, tenderat, koncesionet etj.
Gentian Filaj është bashkëpronari kryesor i kompanisë “El-Bu 2009”, me emrin e ndryshuar në “Swiss Approval”. Kompania është krijuar në vitin 2009, ndërsa pronarë të saj janë Gentian Filaj 47.5% të aksioneve, Realdo Mansaku 26.6%, Henri Aleksi 20.9% dhe Ahmet Burak Goktepe 5% të aksioneve.
Pas akordimit me Koli Belen, Gjiknuri autorizoi kompaninë “El-Bu 2009” që kryejë kontrollin e të gjithë bombolave të gazit që janë në qarkullim në tregun shqiptar, një shërbim ky monopol. Të gjitha kompanitë në fushën e gazit të lëngshëm duhet të ‘faleshin’ tek Gentian Filaj, rrjedhimisht tek Gjiknuri dhe Koli Bele. Nga ky marifet dyshohet se Filaj, Gjiknuri dhe Bele kanë fituar miliona euro, para të cilat më pas dyshohet janë investuar në pasuri të paluajtshme dhe janë qarkulluar në forma të tjera.
Gentjan Filaj dhe Realdo Mansaku janë gjithashtu bashkëpronarë në kompaninë “Albania Mining Consulting”, e cila ka si veprimtari të saj në certifikimin e enëve nën presion. Filaj dhe Mansaku janë gjithashtu bashkëpronarë edhe në kompaninë “SSA-Albania”, e cila ushtron aktivitet, ndër të tjera, në prodhimin e tubave dhe enëve me presion.
Tendera dhe mbikëqyrje korruptive
Gentjan Filaj dhe Realdo Mansaku kanë gjithashtu mbi 70 % të aksioneve në kompaninë e fushës mjedisore ‘GR Albania’, ndërsa aksionerët e tjerë janë Ahmet Burak Goktepe, Saimir Boka dhe Henri Aleksi. Kompania është përfituese e dhjetëra milionë euro parave publike, duke u përfshirë në mënyrë të dyshimtë në ndërtimin pjesërisht të rrugëve Kardhiq-Delvinë loti 7 bashkë me Rrok Gjokën, në hartim projektesh, monitorim projektesh publike, kolaudim punimesh.
Nuk dihet deri më tani se si SPAK nuk ka nisur hetimet për faktin se GR Albania mbikëqyr punimet në rrugën e Arbrit që po e ndërton Rrok Gjoka, ndërsa nga ana tjetër ka fituar bashkë me Rrok Gjokën tenderin për lotin 7 të rrugës Kardhiq- Delvinë, me dokumente false nga Rrok Gjoka. Kemi të bëjmë jo vetëm me një situatë të paligjshme, por me një skemë korrupsioni.
Hidrocentralet dhe oligarku rus
Gentjan Filaj dhe Realdo Mansaku, me kompaninë, GR Albania, kanë marrë edhe HEC-in mbi Lumin Shushicë dhe hidrocentralin mbi Lumin Grabovë, këtë të fundit në bashkëpunim me Gjoka Konstruksion, kompaninë e grabitqarit Rrok Gjoka. Edhe për këto hidrocentrale, dyshohet se letrat janë bërë nga Damian Gjiknuri dhe Koli Bele, për të ndarë më pas fitimet.
Tek HEC-et, ndjekja e fijeve të interesave të çojnë tek grupi Naçi, si Vasil Naçi, Aleksandër Naçi, Kristo Naçi dhe Kosta Sotiri, si dhe tek dy oligarkët e Alb Star, Sadik Ismailaj dhe Idajet Ismailaj.
Tek HEC-et shfaqet edhe oligatkun rus, Oleg Vladimirovich Deripaska, pjesë e listës së zezë së BE-së dhe SHBA, për rolin e rë cilit në Shqipëri do flasim më gjerësisht në vijim.
Ky grup, me Gjiknurin nga pas, dyshohet se fshihet edhe pas planeve për të kafshuar Lumin Vjosa, për mbrojtjen e të cilit është ngritur në këmbë e gjithë bota.
Lidhjet e tjera me qarqet ruse
Në vitin 2018, kur ishte ministër për Infrastrukturën dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i dha kompanisë Transoil Group AG, të drejtën për të marrë në shfrytëzim 3 vendburime të naftës në vend. Kompani është e lidhur me Gazpromin rus dhe kosiderohet si fije e oligarkëve rusë në Ballkan dhe Shqipëri.
Gjykata Administrative konstatoi se tenderi i zhvilluar nga Gjiknuri dhe Albpetrol ishte korruptiv dhe se kompania me lidhje ruse nuk plotësonte kriteret, kishte dorëzuar dokumentacion të mangët etj.
Jo vetëm kaq, por Gjiknuri dhe grupi i tij, kishte shpallu fituese ofertën më pak të leverdishme, duke i shkaktuar shtetit rreth 300 milionë euro dëm.
Duket e çuditshme se si SPAK nuk ka nisur ende hetimet për këtë aferë korruptive, e certifikuar nga gjykata si e tillë.