“Pse janë vënë skanerët në pikën e kalimit kufitar në Kakavi? Pse në skanim kalojnë vetëm autobusët bosh të pasagjerëve? Pse lihen udhëtarët në mes të rrugës, në mjedis të hapur, në mëshirë të agjentëve atmosferikë me bagazhet hapur? A përbëjnë rrezik për pasagjerët rrezet pas skanimit, rreze mes të cilave ata do të udhëtojnë për më se shtatë orë ? Dhe një fakt i jetuar: Më 22 prill në autobusin e një linje, kaluar nëpër skaner, u gjet lëndë narkotike, tregues se skaneri është vënë vetëm për të vjelë para që bien erë korrupsion”.
Këto shkruan gazetari i vjetër Abdurahim Ashiku, i cili jeton në Greqi, në një letër dërguar kryeredaktorit të gazetës DITA, Adrian Thano.
Më poshtë pjesë nga letra:
“Në 22 vjet udhëtime drejt e nga Tirana apo Athina, kam ndjerë joshjen që të jep kujdesi njerëzor për të ta bërë udhëtimin sa më të rehatshëm… Por pa tri orë ngujim në Kakavijë, në të gjitha rastet, nuk shpëton. Dhe kjo për ata që udhëtojnë me autobusë, pasagjerë që i nënshtrohen një “shtrydhje limoni”. Nga ana shqiptare por edhe nga ajo greke.
“Shtrydhjes” së njohur me hapje çantash e valixhesh, me futje duarsh e nxjerrje në shesh të gjithçkaje i është shtuar, tash një vit, SKANIMI i autobusëve.
Autobusi, pasi le në shesh bagazhet e udhëtarëve, pas kontrollit që bëhet nga doganierët, kthehet mbrapsht për tu “skanuar” diku në hyrje të pikës kufitare.
Thjesht “skanim autobusi”, pa plaçka, pa pasagjerë, vetëm me shoferin.
“Skanimi” u ha njerëzve deri një orë kohë, pritje në diell të nxehtë vere, shi, erë e ngricë dimrit. Njerëzit nuk kanë asnjë strehë për tu mbrojtur nga agjentët atmosferikë. E njëjta gjë edhe për bagazhet shtrirë në asfaltin e ngrënë të mjedisit.
A është domosdoshmëri “skanimi” i autobusëve? E doja një përgjigje zyrtare për këtë. Ndaj edhe po e ngre si problem. Jo vetëm për vete por të gjithë ata që e përjetojnë çdo ditë këtë pritje të dhunshme, pritje do të thosha antinjerëzore, shkelje e të drejtës qytetare në udhëtim. Pritje e ankth nga të moshuarit mbajtur mbi shkop, fëmijët e foshnjat që qajnë sa të djeg shpirti.
Dhe kjo(skanimi) bëhet VETËM PËR AUTOBUSËT, e përjetojnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë me autobus. Asnjë makinë e vogël, asnjë maunë e madhe, nuk kthehet mbrapsht bosh për të kaluar në skaner. ASNJË! Vetëm autobusët (!?)
Nuk e di se kujt i shërben ky skanim me rrjedhë dhunë fizike e psikologjike mbi pasagjerët në kalimin nëpër pikën kufitare të Kakavijës (mbase edhe të Kapshticës). Thonë se i shërben kompanisë e cila merr honorarët për këtë…”/ dita