Në të përditshmen italiane “Libero” është publikuar sot një intervistë e kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhënë për drejtorin e kësaj gazete Pietro Senaldi, i cili ishte dhe një nga pjesëmarrësit e panelit të debatit në studion “Porta a Porta” të Bruno Vepsa-s ku pak ditë më parë ishte i ftuar kryeministri shqiptar.
“Në Shqipëri opozita është jashtë parlamentit, të tërhequr mbi “malin Aventino” siç thoni ju italianët shprehje e përdorur gjatë epokës së regjimit fashist në Itali pas largimit të disa deputetëve nga parlamenti pasi ishin kundër fashizmit, por unë nuk jam Duçja” thotë Rama.
”Duhet të kthehen në Parlament nëse duan të përballen. Kështu i bëjnë keq vetëm Shqipërisë. Nuk jemi në rrezik destabilizimi e protestuesit para parlamentit nuk kanë popullin pas tyre“- shton kryeministri
“Por a është hyrja në Europë një bast fitues, Tirana zhvillohet e BE ecën me ritme të ngadalta”– pyet gazetari italian.
“Dua të çoj vendin tim në Europë, – përgjigjet Rama, – jo aq për ekonominë se sa për politikën e jashtme. Kemi shumë tregues se pas protestave të këtyre ditëve kundër qeverisë time, është aksioni i fuqive të huaja.
Në Shqipëri kemi nevojë për institucione të forta e të integruara në BE, për të ndjekur modernizimin e luftuar korrupsionin që ende është i lartë.”
Kryeministri shqiptar shprehet se ekonomia e vendit rritet me 4 % e pyetjes se si mund të garantoj një welfare me një nivel kaq të ulët të taksave, përgjigjet se “ka zbuluar që kur taksat janë të ulëta, evazioni është në minimum e arka e shteti mbushet.”
Sot në Shqipëri operojnë rreth 3800 sipërmarrje italiane, mbi 500 mijë turistë italianë kanë vizituar Shqipërinë më 2018 e rreth 40 mijë sipërmarrje në Itali janë hapur nga emigrantë shqiptarë.
“Në një farë mënyrë po ndihmojmë njëri-tjetrin në këtë mënyrë“, thotë Rama, duke ftuar sipërmarrësit italianë të vijnë në Shqipëri ku ka mjaft mundësi për bizneset e tyre.
Kryeminsitri shqiptar ka komentuar në këtë intervistë dhe problematikën e emigracionit me të cilën po përballet Europa e objekt i mjaft debateve të forta me shtetin italian.
“Mendoj se BE duhet t’i jap fund sjelljes së saj hipokrite e se është e papranueshme që BE akuzon Italinë për xenofobi e më pas e braktis në çështjen e emigrantëve” thotë Rama
Ndërsa për ministrin e e brendshëm Matteo Salvini e populistët italianë, kryeministri shqiptar thotë se kupton motivet e sjelljes dhe të ankesave të tyre.”
“Politika e mëparshme europiane për një emigrim të pakontrolluar falimetoj, duke provokuar efekte shkatërruese“, e mbyll intervistën e tij në “Libero”, kryeministri shqiptar.