Gazetari i njohur Ilir Ikonomi ka publikuar një foto të Mbretereshës Gerladinë, të bërë në moshën 22-vjeçare, siç shprehet ai, ndër më të bukura. Ikonomi citon dhe një gazetë që shkruante për Geraldinën si “një nga bukuritë më të spikatura dhe më joshëse të aristokracisë hungareze”.
Ai tregon më tej detaje nga njohja dhe lidhja me mbretin Zog, kohë kur kontesha aso kohe punonte në Muzeun Kombëtar Hungarez.
Geraldina
POSTIMI I PLOTË
Besoj se kjo është një ndër fotot më të bukura të konteshës hungareze Geraldine Apponyi, që erdhi në Shqipëri në fund të vitit 1937 për t’u njohur me bashkëshortin e ardhshëm, Mbretin Zog.
Fotoja është bërë në Tiranë dhe po e publikoj në përmasat origjinale.
Geraldina, vajzë katolike me nënë amerikane, në atë kohë ishte 22 vjeç. “Një nga bukuritë më të spikatura dhe më joshëse të aristokracisë hungareze do të ulet në fronin shqiptar,” shkruante një gazetë.
Nga i ati, Konti Anton Apponyi, Geraldina trashëgoi dhuntinë për të mësuar gjuhë të huaja dhe fliste anglisht, frëngjisht, gjermanisht e italisht. Pak kohë para se të vinte në Shqipëri, ajo punonte në Muzeun Kombëtar Hungarez ku kërkoheshin njohuri të gjuhëve të huaja. Koha tregoi se Geraldina e mësoi shqipen mjaft mirë, edhe pse qëndroi vetëm një vit në Shqipëri.
Në sallën kryesore të Muzeut ishin ekspozuar riprodhime fotografish, që bliheshin nga vizitorët. Geraldina punonte në këtë sallë dhe shërbente edhe si udhërrëfyese për të huajt që vinin në Muze, ose ndihmonte arkivistin.
Në vjeshtën e vitit 1937, tre motrat e Zogut e njohën atë në Muze dhe ajo u dhuroi një foto të saj me autograf. Më vonë Zogu dërgoi një korrier, i cili e ftonte Geraldinën të merrte pjesë në një festë të oborrit në Tiranë. Korrieri kishte sjellë një buqetë të madhe me lule dhe ajo mësoi për herë të parë se mbreti i Shqipërisë ishte në kërkim të një princeshe për fronin shqiptar.
Në fillim Geraldina refuzoi, sepse mendonte që një bashkim i tillë, thjesht për arsye shtetërore, do të ishte martesë pa dashuri dhe nuk përputhej me idenë e saj për një lidhje romantike.
Më në fund, ajo vendosi t’i jepte një shans mbretit shqiptar. Gjatë një udhëtimi në Romë, Geraldina u kthye në Budapest me një ndalesë në Tiranë dhe zbuloi me kënaqësi se nuk ishte e vështirë të bije në dashuri me Zogun, një burrë që iu duk guximtar dhe i vendosur. Kjo ishte vizita e saj e parë në Shqipëri.
Ajo u martua me Zogun më 27 prill 1938, por një vit më vonë Shqipëria u pushtua nga Italia dhe ëndrrat e saj morën fund. Geraldina u rikthye në Shqipëri pas më shumë se gjashtë dekadash dhe ndërroi jetë më 22 tetor 2002.
Me fytyrën gjithnjë të qeshur, me natyrën paksa të ndrojtur dhe fisnike, me fjalën e butë, kontesha u bë një prani qetësuese për shqiptarët e ashpër.
Ne mund të themi jo pa krenari se në majat e shtetit, në krye, kemi pasur dikur një grua të urtë që rrezatonte mirësi, durim, modesti dhe civilizim për qytetarët e tjerë. Nuk është e lehtë të kesh njerëz të tillë.