Gazeta gjermane Bild publikoi dje disa përgjime për shit-blerjen e votave në Durrës, kur përfshihet dhe kryebashkiaku Vangjush Dako. Përgjime që nxitën në valë të madhe reagimesh në vend.
Peter Tiede, gazetari gjerman i Bild, ka folur menjëherë pas këtyre përgjimeve duke garantuar se ato janë tërësisht të vërteta. Në një intervistë për emisionin Opinion, Tiede thotë se ‘burimet janë absolutisht të besueshme, janë burime shqiptare që na janë vendosur në dispozicion nga Tirana.’
E pyetur nga gazetarja Desada Metaj, sesi mendonte ai se do të reagonte qeveria shqiptare pas këtyre materialeve, Tiede u përgjigj ‘Qeveria shqiptare ndoshta nuk ka se si të mund të reagojë ndryshe, përveçse të pretendojë se gjithçka është një mashtrim apo një konspirim I madh. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë dhe ata gjermanë thonë krejt hapur dhe qartë që Shqipëria e ka humbur luftën. Aty qeveris mafia. Pra politika duhet ta ketë të qartë se çdo të thotë dhe çfarë është mafia. Në fakt ajo vetë është mafia.’
Intervista e plotë
Përgjimet audio që ju keni publikuar në Bild kanë shkaktuar një furtune të vërtetë në Shqipëri. Herën e parë disa persona nga mazhoranca ju akuzuan si të paguar nga opozita.
Peter Tiede: Kjo është totalisht marrëzi, pakuptim. Unë jam një gazetar gjerman, jetoj në një vend të lirë dhe tek ne, gazetarët paguhen nga punëdhënësit e tyre dhe ky punëdhënës quhet “Bild” dhe jo opozita shqiptare. Unë madje, nuk njoh fare dikë nga opozita shqiptare.
A mbani ju përgjegjësi për autenticitetin e këtyre përgjimeve? Sepse në një situate krize si kjo që po kalon Shqipëria kjo mund të konsiderohet si një goditje e fortë.
Peter Tiede: Ky është material i vërtetë, nuk ka mashtrime ne e kemi testuar këtë material ashtu siç veprojnë, pra bëjmë gjithmonë me informacionet. Burimet janë absolutisht të besueshme, janë burime shqiptare që na janë vendosur në dispozicion nga Tirana.
Si gazetar me eksperience a mendoni se publikimi i këtyre përgjimeve do të ndikoje në qëndrimin zyrtar të Gjermanisë ndaj Shqipërisë dhe hapjes së negociatave?
Peter Tiede: Nuk mendoj se kjo është diçka që domosdoshmërisht do të mund të ndryshojë qëndrimin e Gjermanisë, pasi për Gjermaninë ka rëndësi që Shqipërisë të mos i ndodhë e njëjta gjë si me Malin e Zi, që ndikohet nga rusët. Pra dhe ajo të mos ndikohet nga Turqia. Të gjithë duan ta kenë për vete Ballkanin, por për Gjermaninë rëndësi ka gjendja aktuale në të cilën ndodhet Shqipëria, me korrupsionin e madh që ka, me mungesën e lirisë së shtypit, me mungesën e gjykatave. Juve nuk keni madje as Gjykatë Kushtetuese. Me të gjitha këto Shqipëria kërkon ose përpiqet të anëtarësohet në BE. Ky është rasti aktual.
Si mendoni se duhet të reagoje qeveria shqiptare në një rast të tille? A keni patur raste të ngjashme dhe si është proceduar më vonë?
Peter Tiede: Qeveria shqiptare ndoshta nuk ka se si të mund të reagojë ndryshe, përveçse të pretendojë se gjithçka është një mashtrim apo një konspirim I madh. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë dhe ata gjermanë thonë krejt hapur dhe qartë që Shqipëria e ka humbur luftën. Aty qeveris mafia. Pra politika duhet ta ketë të qartë se çdo të thotë dhe çfarë është mafia. Në fakt ajo vetë është mafia.