Ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion duket se është çështje ditësh. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet ditën e nesërme për të vijuar me punën në këtë drejtim. Deri tani KLP ka mbyllur dosjet për nëntë garues, ndërsa të hënën do të vijohet edhe me emrat e tjerë. Pika e parë e rendit të ditës do të jetë diskutimi dhe miratimi i raporteve për subjektet e tjerë.
Kjo do të thotë se KLP ka ndezur “motorët” dhe po punon shumë fort me qëllim që konstituimi i SPAK të mos vonojë edhe më shumë. Gjatë mbledhjes së të hënës pritet që anëtarët e Këshillit të diskutojnë rreth raporteve të hartuara për pjesën tjetër të kandidatëve, të ndërhyjnë nëse kanë kontestime dhe më pas dosjet hidhen në votim. Hartimi i dosjeve është një fazë shumë e rëndësishme për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion sepse fati i prokurorëve garues varet shumë nga rezultatet që marrin aty.
KLP kalon në sitë profesionalizmin e secilit kandidat dhe aftësitë e treguara nga ata në hetimin e dosjeve të rëndësishme e në luftën antikorrupsion, duke qenë se SPAK do ta ketë në fokus kryesor këtë të fundit.
Kujtojmë që kandidatët që kanë kaluar deri tani në “filtrin” e KLP janë: prokurorët e Krimeve të Rënda, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Eugen Beçi, Manjola Kajani, Doloreza Musabelliu dhe Vladimir Mara, kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj, prokurorja e Elbasanit, Enkeleda Millonaj apo edhe prokurori i Prokurorisë së Apelit Tiranë, Altin Dumani.
Miratohet rregullorja
Në mbledhjen e ditës së hënë Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të marrë dy vendime të rëndësishme për SPAK: një është miratimi i raporteve për kandidatët e mbetur, ndërsa tjetri ka të bëjë me miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren për ngritjen e SPAK. Këto ndryshime u bënë publike pak ditë më parë në faqen zyrtare të KLP, të cilat përfshijnë mënyrën sesi do të vlerësohen kandidatët, hedhjen e shortit dhe monitorimin e procesit nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Kjo rregullore është një pjesë kyçe e punës që KLP duhet të bëjë për ngritjen e SPAK.
Në të janë të specifikuara të gjithë hapat që duhet të ndërmerren nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, mënyra sesi do të zhvillohen seanca dëgjimore me secilin kandidat apo edhe e drejta e ndërkombëtarëve për të asistuar përgjatë gjithë procesit dhe për të ndërhyrë me pyetje për kandidatët aty ku e mendon të nevojshme.
Pra, mund të themi që KLP po e bën gati terrenin për konstituimin e SPAK, ndërsa tani mbetet të pritet vetëm përfundimi i raporteve për kandidatët e mbetur dhe zhvillimi i seancave dëgjimore për ta. Duhet theksuar fakti se një pjesë e mirë e kandidatëve nuk e kanë kaluar procesin e vetingut, por kjo nuk do ta vonojë edhe më shumë ngritjen e SPAK.
Plani i KLP është që “themelet” e SPAK të hidhen edhe me më pak se 10 prokurorë, pra nuk do të pritet vetingu për të gjithë garuesit. Deri tani 4 kandidatë janë konfirmuar në detyrë, ndërsa duhet edhe një numër shumë i vogël me qëllim që SPAK të ngrihet. Për emrat e tjerë pritet që KPK t’i kalojë në veting me përparësi.
Në verë nis lufta antikorrupsion
Sipas të gjitha gjasave, vera do të sjellë nisjen e luftës antikorrupsion në nivel politik. Disa zëra thonë se vendimi për hapjen e negociatave do të shtyhet në shtator, çka do të thotë se Shqipëria ka më shumë kohë për të përmbushur kushtet. Mes këtyre kushteve është edhe ngritja dhe nisja nga puna e SPAK. Duke qenë se vendimi mund të merret në shtator, KLP ka më shumë kohë për të përzgjedhur emrat më të mirë që do të jenë pjesë e Strukturës.
Pritshmëritë janë që deri në qershor procesi i verifikimit dhe i përzgjedhjes për kandidatët do të ketë mbaruar dhe mesi i korrikut të sjellë ngritjen e SPAK dhe nisjen e goditjes kundër korrupsionit në nivele të larta.
Mimoza Ibra