Mbi 14 mijë të huaj kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në Shqipëri. Instituti i Statistikave publikoi sot raportoi mbi “Të huajt dhe azilkërkuesit në Shqipëri, 2018”. Sipas INSTAT numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 14.162 banorë, duke shënuar rritje me 9,7 %, krahasuar me 2017.
Numri i të huajve rezidentë, në vitin 2018, përbëhet nga 9.203 meshkuj, duke shënuar rritje me 9,9 % krahasuar me 2017, 4.959 janë femra duke shënuar rritje me 9,6 % në vitin 2018. Të huajt me origjinë nga Europa, gjatë vitit 2018, janë 8.212 dhe përbëjnë 58,0 % të të huajve gjithsej kundrejt 59,2 % që përbënin në 2017.
Në vitin 2018, arsyet kryesore të lejeve të qëndrimit janë arsyet për punësim dhe bashkim familjar, të cilat së bashku zënë 72,4 % të arsyeve të të huajve rezidentë gjithsej. Janë evidentuar 6.893 të huaj të parregullt, ku pjesën më të madhe të tyre, 44,8 % e zënë të huajt me origjinë nga Siria.
Gjatë 2018, rezultojnë 4.386 azilkërkues në Shqipëri, ku pjesën më të madhe të tyre, 49,0 % e zënë të huajt me origjinë nga Siria. Në 2018, rezultojnë 345 persona të cilët kanë fituar shtetësi shqiptare, duke pësuar rritje me 9,2 %, krahasuar me vitin 2017.
Personat të cilët kanë humbur shtetësinë shqiptare gjatë vitit 2018, janë 640, duke pësuar rënie me 1,7 %, krahasuar me vitin 2017.