Vjedhja e të dhënave nga sistemi TIMS nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe dërgimi i tyre në një shtet të huaj si Qipro është një ndër skandalet më të mëdha në vend, krahas nxjerrjes së të dhënave për pagat, numrat e identifikimit dhe detaje të tjera të ngjashme.
Pavarësisht se bëhet fjalë për një skandal të përmasave ndërkombëtare, për të cilin kanë reaguar edhe amerikanët, në Shqipëri është duke u trajtuar si një ngjarje normale, për të cilën po kryhet një hetim rutinë nga Prokuroria.
Në fakt nuk është aspak kështu, pasi siç bëjnë me dije burime, një luftë e madhe interesash dhe përplasje të mëdha janë duke ndodhur në kupolën e Policisë së Shtetit, me grupe që përgjojnë, gjurmojnë dhe sabotojnë njeri-tjetrin.
Si dolën të dhënat: Intrigat mes kokave të Policisë së Shtetit
Skandali u publikua fillimisht në media ku u tha se të dhënat e TIMS nuk ishin vjedhur nga iranianët siç u tha, por drejtues të Policisë së Shtetit. Në qendër të akuzave është Ervin Muça, i emëruar rishtazh si drejtori i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit, Ervin Muça, qëmë pas u pezullua nga puna, shkruan AlbEu.com.
Prokuroria dhe eprorët e tij dyshojnëse Muça eksportoi të gjithë bazën e të dhënave të TIMS në një harddisk të jashtëm. Por a e bëri Muça këtë me kokën e tij apo kishte garanci nga të tjerë në kupolën e Policisë së Shtetit?
Deri më tani nuk është e qartë plotësisht çfarë ka ndodhur, pasi edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po vepron në heshtje duke tentuar mbylljen e skandalit, por mësohet se gjithçka ka shpërthyer pas një sherri, deri edhe fizik mes dy drejtuesve të lartë në Policinë e Shtetit.
Burime bëjnë me dije se një drejtor i rendësishëm ka urdhëruar ndjekjen dhe gjurmimin e një tjetër drejtori. Kjo ka ngjallur reagimin e këtij të fundit duke çuar në urdhrin ndaj Muçës për të nxjerrë të gjitha të dhënat e TIMS përmes një linje internet që u instalua në ambientet ku ruheshin.
Pasi u mësua linja e paautorizuar e internetit, një shkelje e rëndë e rregullave kjo, ngjarja iu referua AMP-së dhe Ardi Veliut, e cila kreu gjoja një verifikim rutinë në këto ambiente duke konstatuar këtë linjë interneti të pautorizuar.
Në fakt, AMP ishte në dijeni të linjës së internetit, por e kreu inspektimin gjoja rutinë për të mos vijuar konfliktin në kupolën e Policisë së Shtetit.
Pas konstatimit të kësaj linje interneti, AMP bëri edhe padi në Prokurorinë e Tiranës.
Pas skandalit, Muça u shkarkua nga detyra, por u risoll në të njëjtën detyrë. E gjithë intriga në Policinë e Shtetit është duke ndodhur mes dy drejtorëve me peshë, ndërkohë që Muhamet Rrumbullaku nuk ka kontrollin mbi situatën, kurse ministri Balla nuk e di ende çfarë të bëjë.
Nuk ka ende të dhëna mbi shkakun e vërtetë të përplasjes mes dy drejtorëve të Policisë së Shtetit, por fakt është se kupola është e përfshirë edhe në komunikimet me grupe kriminale përmes programit SKY. Ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri ishte një ndër shembujt, ndërsa dyshohet se në rrjete kanë rënë edhe të tjerë duke çuar në skandale të tilla.
Ngjarja ka marrë përmasa ndërkombëtare duke bërë që të reagojnë edhe amerikanët.
SHBA-të përmes përfaqësuesve të tyre bënë apel për një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe vendosën theksin te mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri, duke ofruar mbështetje amerikane në hetim.
“I Ngarkuari me Punë i Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDoëell u takua sot me Ministrin e Brendshëm Taulant Balla. Ata diskutuan bashkëpunimin SHBA-Shqipëri në fushën e zbatimit të ligjit dhe mbështetjen për një sërë çështjesh të lidhura me sigurinë.
I ngarkuari me Punë McDoëell vuri në dukje shqetësimet e SHBA në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit. Ai nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri.
McDoëell i tha gjithashtu Ministrit Balla se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre”, thuhej në postimin e ambasadës amerikane në rrjetet sociale. /albeu.com