Nga Ylli Pata
Sot LSI ka paditur dy ish-zyrtarë mjaft të lartë të saj në SPAK siç është Lefter Koka e Alqi Bllako. Dy politikanë që në zgjedhjet e fundit nuk u rreshtuan me partinë e Ilir Metës por zgjodhën Partinë Socialiste.
LSI, siç në fakt disa parti të tjera në betejën me rivalët e kundërshtarët, sa herë kanë tentuar të rekrutojnë e të marrin kuadro nga kundërshtari, të cilët sapo i kanë marrë i kanë cilësuar “ëngjej”, ndërkohë që muaj më parë kanë qenë “djaj”.
Rasti i ish-drejtoreshës së përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj, që u bë meme në kohë të vet, është pikërisht shembulli që ilustron këtë fenomen. Por që nuk është i vetmi.
Ka një perceptim në publik si për LSI por edhe për politikën në përgjithësi, e zyrtarët që kanë pasur poste të larta. Ndaj në Shqipëri SHBA e BE kanë nxitur një reform në drejtësi që të hetojnë politikanët për abuzimin e tyre me pushtetin.
E që natyrisht është reforma në drejtësi e SPAK si një institucion bazik i kësaj reform për të hetuar politikën e lartë. LSI e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit e kanë kundërshtuar fort këtë reform. Madje dy ish-ministrat e Drejtësisë së saj Ylli Manjani e Petrit Vasili janë negacionositët e par exellance të kësaj reforme.
Mirëpo sot ne kemi një akt publik të kreut zyrtar të LSI-së Monika Kryemadhit, e cila ka dashur të japë një mesazh antikorrupsion të partisë së saj, e cila në publik ka një imazh të përhapur në lidhje me pasurimin e zyrtarëve të saj në vite. Po përse Monika Kryemadhi sot denoncon vetëm Alqi Bllakon e Lefter Kokën?
Duket se ky akt është si një ndëshkim ndaj tradhëtarëve politikë, e jo një parim për të denoncuar korrupsionin. E ne sot jemi në vitin 2021, pikërisht 5 vjet pas qeverisjes së koalicionit LSI-PS.
Ka pasur LSI dyshime apo prova për abuzimin e qeveritarëve të saj? Po përse e sjell pikërisht sot, e a janë realisht këta emra që LSI denoncon realisht zyrtarët që kanë perceprimin që kanë abuzuar me pushtetin?
Si ka mundësi që LSI, e cila e ka sulmuar egërsisht Briseida Shehajn kur ishte drejtoreshë e Tatimeve, e sot që e ka zyrtare të saj nuk thotë asgjë, kurse për ish-ministrin Lefter Koka apo Sekretarin e Përgjithshëm të Presidencës Alqi Bllako, sot e ka zbuluar që janë të korruptuar?
Po mirë, nëse ata kanë qenë të korruptuar, sipas ligjit dikush duhet të ketë qenë bashkëpunëtor në këtë veprim, e sipas Kodit Penal të paktën ka konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës.
Natyrisht që këto janë diskutime e jo verdikte, por logjika mbi të cilën është ngritur fibula antikorrupsion e opozitës kërcet.
Kur më pëlqen mua është burrë i mirë, kur ikën nga unë, është i korruptuar. Megjithatë është shumë e çuditshme padia e LSI-së në SPAK, kur këtë institucion, eksponentët e saj e mallkojnë ditë për ditë…