Dje në seancë plenare mazhoranca nuk miratoi mocionin e opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes dhe ministres Olta Xhacka. Në seancë plenare në votimin e raporteve të Këshillit të Mandateve u vu re se nga grupimi i drejtuar nga Sali Berisha ishin të pranishëm vetëm 2 deputetë Agron Shehaj dhe Isuf Cela. Sot në mëngjes deputeti Agron Shehaj deklaroi se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhacka.
Nga kërkesa e shpërndarë për median nga zyra e shtypit, konstatohet një gafë e rendë, që e bën të pashqyrtueshme kërkesën. Mesa duket mungesa në seancë ka bërë që deputetët e Berishës të mos kuptojnë se çfarë ka miratuar apo rrëzuar dje në orët e vona Kuvendi.
Në kërkesën e firmosur nga 28 deputetë, kërkohet “kundërshtimi i vendimit të datës 17.11.2022 “Për mosdergimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes për konstatimin e papajtueshmërisë me detyrën e deputetit të znj. Olta Xhacka” dhe konstatimin e antikushtetutshëmrisë së këtij vendimi”. Në fakt Kuvendi dje nuk ka marrë asnjë vendim të tillë. Pra vendimi i pretenduar nga grupimi i Berishës se po kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese nuk ekziston.
Kuvendi dje lidhur me çështjen e mandatit të Olta Xhackës ka votuar dy vendimi:
1. “Për mosmiratimin e raportit të pakicës në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit për kërkesën mbi ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.
2. “Për miratimin e raportit të mazhorancës në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit për kërkesën mbi ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.
Në kërkesën e grupimit të Berishës kërkohet edhe “konstatimi i papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhacka”. Edhe kjo kërkesë është një gafë, sepse 28 deputetët nuk legjitimohen për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
Në vendimin e saj për interpretimin përfundimtar të nenit 70 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 7, datë 24.02.2016 është shprehur se “12. Në përfundim, Gjykata vlerëson se kërkuesi, një e pesta e deputetëve, si një nga subjektet e parashikuara në nenin 134 të Kushtetutës, nuk legjitimohet t`i drejtohet drejtpërdrejt Gjykatës për të kërkuar konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetit.
Në të tilla raste, në pajtim me pikën 4 të nenit 70 të Kushtetutës, Gjykata mund të vihet në lëvizje vetëm me vendim të Kuvendit.”. Bazuar në këtë vendim dhe në praktikën e Gjykatës Kushtetuese në rastet e ish-deputetëve Koco Kokëdhima, Rakip Suli apo Valentina Leskaj, vetëm firmëtarët e mocionit të depozituar në Kuvend (1/10 e deputetëve) mund ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese në rastet kur Kuvendi nuk e dërgon çështjen për shqyrtim.
Ky është rasti i dytë brenda javës, ku grupimi i drejtuar nga Sali Berisha i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesa që përmbajnë gafa të rënda. Më herët Shqiptarja.com zbardhi mashtrimin me kërkesën e pretenduar për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të aferës së Portit të Durrësit. Në fakt, grupimi i drejtuar nga Sali Berisha i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar nga Parlamenti në 2020. Mirëpo, sipas Kushtetutës, marrëveshjet ndërkombëtare mund të dërgohen për kontroll në Gjykatën Kushtetuese vetëm përpara ratifikimit të tyre nga Parlamenti./ Shqiptarja.com