Një fushë magnetike më e dobët si rezultat i përmbysjes së poleve do të shkaktonte një mburojë hapësinore më të dobët, pra më shumë thërrmija do të hynin në atmosferë, duke shkaktuar ndoshta gabime kritike kompjuterësh, dëmtim të teknologjisë, probleme me furnizimin me energji, dhe sëmundje fatale
Nga Alaska në Siberi, një lumë i nëndheshëm shkon nga lindja në perëndim; një lumë që nuk ngjan aspak me gjithçka që ne njohim nga sipërfaqja e Tokës. Lëngu nuk është ujë, është hekur i lëngët, që rrjedh në thellësitë 3000 km.
Hekuri i lëngët në lumin 420 km të gjerë rrjedh me një shpejtësi afro 5 metra në orë ose 50 km në vit. Sipas shkencëtarëve nga Universiteti i Leedsit dhe Universiteti Teknik i Danimarkës, shpejtësia po rritet. Të dhënat e tyre tregojnë se lumi po rrjedh tre herë më shpejt se sa 15 vjet më parë – dhe më shpejt se në cdo vend në brendësinë e Tokës. Bashkë me prova të tjera, lumi mbshtet dyshimin e studiuesve se bërthama është shumë më dinamike se sa besohej më parë, që do të thotë se fusha magnetike e Tokës po ndryshon me shpejtësi dhe që një përmbysje shkatërrimtare e poleve të saj mund të jetë e afërt.
Mburoja e Tokës po humbet forcë
Lumi i hekurit u zbulua nga tre satelitë evropianë për shkak të ndryshimeve në fushën magnetike, por në terma afatgjatë, ndryshimet mund të jenë edhe prova të problemeve të mëdha të planetit tonë. Shkencëtarët dijnë se për 2000 vitet e fundit, poli magnetik i veriut ka “vallëzuar” përreth polit gjeografik të veriut me një shpejtësi deri 15 km/vit. Po kështu, forca e fushës magnetike ka rënë me afro 10 % që nga vitet 1860, kështu që shkencëtarët janë të zënë në përpjekjet për të kuptuar se çfarë e prodhon fushën si dhe pasojat për njerëzimin, nëse ajo dobësohet më tej, apo zhduket krejt. (bota.al)
Fusha magnetike ngrihet kryesisht për shkak të rrymave në shtresën e jashtme, të lëngët të bërthamës. Lumi i hekurit të lëngët, që shkencëtarët sapo e kanë zbuluar, është pjesë e rrymave dhe kontribuon për prodhimin e një dinamoje vetëpërforcuese, e cila gjithësesi është e paqëndrueshme. Gjeologët kanë treguar se fusha magnetike mund të “shuhet” pothuaj tërësisht dhe të ndryshojë drejtim, kështu që në vend të tregojë veriun, një busull mund të tregojë jugun. Shkencëtarët nuk e dinë nëse jemi rrugës drejt një përmbysjeje të poleve, por ata e dinë se polet janë përmbysur shumë herë në historinë e Tokës – rasti më i fundit, 780 mijë vite më parë. Shpeshtësia e përmbysjes së poleve ndryshin, por mesatarisht, kjo ndodh çdo 370 mijë vjet.
Një fushë magnetike e fuqishme dhe e qëndrueshme është parakusht për qytetërimin tonë. Toka bombardohet vazhdimisht me thërrmija hapësinore me energji të lartë, të cilat përthyhen prej fushës magnetike. Vetëm në rajonet polare, ku vijat e fushës janë pak a shumë vertikale, thërrmijat mund të hyjnë në atmosferën e sipërme duke prodhuar aurorat.
Një fushë magnetike më e dobët si rezultat i përmbysjes së poleve do të shkaktonte një mburojë hapësinore më të dobët, pra më shumë thërrmija do të hynin në atmosferë, duke shkaktuar ndoshta gabime kritike kompjuterësh, dëmtim të teknologjisë, probleme me furnizimin me energji, dhe sëmundje fatale.
Neandertalët u goditën
Shkaku i përmbysjes së poleve nuk njihet me detaje. Teoria më e mirë e gjeologëve është se në thellësitë 3000-5000 km, ka zona lokale ku fusha është e kundërta e fushës së përgjithshme. Një zonë e tillë ekziston poshtë Afrikës së Jugut, përshembull. Nëse këto zona zgjerohen mjaftueshëm, preket fusha e përgjithshme magnetike, dhe kështu dy skenarë janë të mundshëm: ose fusha origjinale rishfaqet, ose përmbyset.
Por që të shfaqen zona me fushë magnetike të kundërt, kërkohen ndryshime në rrjedhjen e energjisë dhe materialeve në bërthamën e jashtme. Sipas simulimeve kompjuterike të fushës magnetike, përmbysjet spontane të poleve ndodhin në një bërthamë homogjene e simetrike. Por nëse simulimet lejojnë kaosin dhe asimetrinë, si tregohet nga lumi i hekurit të lëngët, përmbysjet e poleve ndodhin në mënyrë të përsëritur.
Sipas të dhënave gjeologjike, një përmbysje e plotë e poleve kërkon 1000-20000 vite të ndodhë, por procesi nuk është i ngadaltë e i butë. Fusha magnetike ndahet në shumë fusha. Pasoja e disa fushave magnetike është se bota do të ketë disa pole magnetike veriore dhe jugore në të njëjtën kohë.
Gjatë një përmbysjeje polesh, forca e fushës magnetike reduktohet me 90%. Gjatë shekujve apo mijëvjeçarëve kur fusha është më e dobët, Toka i nënshtrohet një rrezatimi shumë më të madh hapësinor, dhe ndoshta kjo ka ndikuar tashmë në evolucionin e njeriut.
Sipas shkencëtarëve francezë, Jean-Pierre Valet dhe Helene Valladas, kjo është e vërtetë. Në studimet e tyre, ata fokusohen në një periudhë gjatë epokës më të fundit të akullit 41 mijë vite më parë, kur popullsia e Neandertalëve në Europë pësoi kolaps – pikërisht në kohën kur ndodhi një devijim gjeomagnetik, gjatë të cilit fusha magnetike “përgatitet” për përmbysje polesh, dhe polet madje mund të përmbysen për pak kohë, ndonëse në fund fusha magnetike rivendoset.
Pikërisht kjo ndodhi gjatë ngjarjes Laschamp. Për afro 250 vite, polet ndërruan vendet disa herë, dhe forca e fushës magnetike ra me 95%, duke dëmtuar shtresën e ozonit mbi Evropë, dhe kështu rrezatimi i dëmshëm i Diellit, që shkakton kancer, depërtoi në Tokë.
Ndryshimi i rrezatimit nuk është shpjegimi i plotë i kolapsit të Neandertalëve, por sipas teorisë së Valet dhe Valladas, Neandertalët u dobësuan kaq shumë, saqë nuk mund të përballonin trysninë e ndryshimeve të shpejtë të epokës së akullit, si dhe mbërritjen e njeriut modern në kontinent.
“Verdikti” në vitin 2034
Duke ditur këtë, është interesante që zhvillimi i tanishëm në fushën magnetike të Tokës të kujton fillimet e Laschamp. Forca e fushës bie shpejt, dhe zonat në bërthamën e jashtme me magnetizim të përmbysur rriten. Në fund, brenda disa qindra vitesh, mund të përjetojmë një periudhë, kur mbrojtja e Tokës nga rrezatimi hapësinor pothuaj nuk do të ekzistojë. (Nga kanceri, tek problemet e shqisave (haluçinacionet): Ja pasojat e dobësimit të fushës magnetike).
Shkencëtarë italianë dhe kinezë kanë vendosur madje një afat kur do të dijmë nëse një përmbysje e poleve është e afërt. Nëse zhvillimet në bërthamën e Tokës nuk do të sprapsen deri në 2034, një kolaps i fushës magnetike do të jetë i pashmangshëm. Kështu që, duhet të fillojmë të mendojmë si të mbrohemi vetë, dhe të mbrojmë teknologjinë tonë të brishtë, pasi nuk ka asnjë dyshim që nuk do të dëshironim të kishim fatin e Neandertalëve. / Science Illustrated – Bota.al