Policia e Vlorës deklaron se 4 turistët italianë që u përfshinë në një incident mëngjesin e sotëm në Zvërnec janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Kanë qenë Shërbimet e Policisë Kufitare që u kanë ardhur në ndihmë 4 turistëve italianë, të dëmtuar gjatë një udhëtimi me skaf.
“Më datë 07.06.2022, rreth orës 05:30, në zonën e quajtur “Hunda e Plakut”, në plazhin e Zvërnecit një mjet lundrues (skaf), me drejtues shtetasin G. V., 61 vjeç, banues në Pavia, Itali, është përplasur me një shkëmb nënujor. Në mjet ndodheshin shtetasit M. R., 38 vjeç, K. B., 33 vjeçe dhe një i mitur, banues në Pavia, Itali.
Shërbimet e Policisë Kufitare sapo janë njoftuar, kanë organizuar punën me qëllim nxjerrjen e shtetasve në breg. Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara të Policisë Kufitare dhe GDF është bërë e mundur nxjerrja e 4 shtetasve italianë në breg. Të dëmtuarve u është dhënë ndihma e parë dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.”, njofton policia.