Ngjarje tragjike në Greqi. Mbyten dy varka me emigrantë.
Ngjarja ka ndodhur në zonën detare të Provoskidës, në lindje të Mytilinit, ku të paktën 16 emigrantë kanë humbur jetën pasi anija në të cilën ndodheshin u fundos. Deri më tani, nëntë persona janë shpëtuar, ndërsa tre janë bllokuar në një zonë shkëmbore dhe të pjerrët.
Përfaqësuesi i rojes bregdetare, Nikos Kokkalas tha për mediat greke se viktimat dhe të shpëtuarit janë vajza të reja me origjinë afrikane. Në total, në këtë varkë ndodheshin rreth 40 emigrantë.
Hetimet e autoriteteve portuale po zgjerohen pasi dyshohet se disa emigrantë mund të jenë në tokë.
Në zonën e aksidentit, nën koordinimin e Qendrës së Unifikuar të Kërkim Shpëtimit, po operojnë efektivët e Rojes Bregdetare, të Ushtrisë Greke, të Brigadës së Zjarrfikësve dhe të Policisë. Operacioni kryhet në kushte të pafavorshme moti, pasi po fryjnë erëra të forta.
Patrulla bregdetare e portit dhe një helikopter Super Puma i Forcave Ajrore janë nisur drejt zonës.
80 persona u shpëtuan në zonën e Diakoftit të Kythirës
Po në të njëjtën kohë, të paktën 80 emigrantë janë shpëtuar pas përplasjes së një varke me vela në një zonë shkëmbi deti, në Diakofti të Kythirës. Sipas të dhënave të deritanishme të autoriteteve, në skaf ndodheshin 95 persona.
Kërkimi i rojes bregdetare për personat e zhdukur vijon në kushte të pafavorshme, duke fryrë erë e fortë.
Në vendngjarje ndodhet një anije lundruese, një helikopter i Marinës, zyrtarë të Autoritetit Portual përkatës, efektivë të policisë dhe zjarrfikësve si dhe shpëtimtarë vullnetarë./CNN.GR