Në disa vende të Ballkanit, numri i rasteve të reja është në rënie. Kështu, në Serbi, autoritetet shëndetësore raportojnë për 4 932 raste të reja në 24 orët e fundit dhe 49 viktima. Shifrat e të infektuarve të rinj janë në rënie për të disatën ditë radhazi.
Edhe në Maqedoninë e Veriut, e cila para pak javësh kishte nivele të larta të përhapjes së virusit, vihet re një ulje e kurbës. Në 24 orët e fundit janë 213 raste të reja me Covid-19, shifra të nxjerra nga 741 testime të kryera. Si pasojë e infektimit me Covid janë regjistuar gjithashtu edhe 26 viktima të cilët nuk arritën dot të fitonin betejën me Covid.
Edhe Greqia po përballet me uljen e kurbës. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 639 raste të reja pozitive me Covid -19 dhe 62 viktima.
Rënia e numrit të rasteve të reja po verifikohet edhe në Kosovë. Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private janë testuar gjithsej 1 327 mostra, prej të cilëve rezultojnë 329 raste pozitive. Ndërsa numri i viktimave është 5.
Në Shqipëri, ulja e kurbës është më e lehtë, megjithatë e dukshme në krahasim me pak ditë më parë kur numri i infeksioneve të reja arriti mbi 800, ndërsa ai i viktimave 18. Ditën e sotme, Ministria e Shëndetësisë raportoi se janë regjistruar 661 raste të reja pozitive nga 2108 testime të kryera dhe 13 viktima nga Covid-19.
Rënia e numrit të rasteve të reja reflekton zbatimin e masave parandaluese, sidomos në rastet e Greqisë dhe Kosovës. Kjo tkurrje e pandemisë, edhe pse në përmasa të vogla, mund të shërbejë për të studiuar më në detaje se cila është strategjia më efektive për parandalimin e përhapjes së virusit.
Ajo mund të shihet deri diku edhe si fundi i valës së dytë, nëse marrim si referencë rënien e rasteve gjatë muajve të verës. Në Europë janë disa epidemiologët që mendojnë se po pandemia po shkon drejt fundit të valës së dytë, ndërsa e treta është e pritshme në janar.