Bllokimi i fluturimeve dje në aeroportin e Rinasit ka rikthyer luftën politike në vend. Teksa vendi po shkon drejt zgjedhjeve të 25 prillit, një grevë e tillë është parë si puç politik. Analisti i njohur Frrok Çupi e ka drejtuar gishtin nga dyshja Meta-Berisha.
Ai tha se presidenti përfshirë këtu dhe politikanë të tjerë, po e ndjejnë se po iu vjen dita të japin llogari për krimet.
Sipas Çupit, Meta ka për qëllim shpërthimin e kaosit. Analisti tha se sipas dëshmive, presidenti ka takuar, përgjatë gjithë natës, militantët e LSI që akoma punojnë në Albcontrol.
Analisti i njohur Frrok Çupi
“Nuk mund të thuash se cila nga kalimet kufitare u bllokua e para: Morina apo Rinasi?! Ndoshta ka ndodhur si në paradigmën ‘pula vezën, apo veza pulën’. Shpesh në jetën tonë na ndodh si në figurën e krimit: Njëri autor krimi zbulon tjetrin.
a)Kufiri në Morinë u bllokua me qëllimin e parë që shqiptarët e Kosovës të mos vaksinohen në Kukës.
b)Kufiri ajror i Rinasit u bllokua me qëllimin e parë që të mos uleshin nga ajri vaksinat për popullatën.
Kësaj here kombi shqiptar është gjetur i mbyllur në thes: Blloko vaksinimin nga sëmundja botërore e shekullit, Covid19, dhe atëherë kombin mund ta rrahin si macen…
A do të mbytet kombi shqiptar nga të vetët?
Dilema e tragjedisë së Hamletit, vjen si fantazmë kufijsh e pushtetesh, tanimë edhe për kombin tonë. Nuk ka asnjë faj kombi (siç akuzojnë disa perversë) pse ka në krye këta njerëz që e mbyllin në thes si macen. Nuk është as dilema nëse kombi i hap kufijtë, i ul avionët, i merr vaksinat…, sepse këtë e bëri. Çështja është pse nuk konfiskohen thasët, litarët, kufijtë, paratë, mjetet…, etj., me të cilat lidhet kombi një ditë të caktuar?
Përtej çdo akti ka disa linja:
1.
Pse e ndaloi Kurti i Kosovës kalimin kufitar për t’u vaksinuar në Kukës, e dini? Është shumë e thjeshtë, madje e ulët. Albini ka në kokë ‘luftën e ftohtë’, dhe këtë do ta aplikojë së pari me kavjet e veta siç e quan kombin shqiptar. Kombit, në dy pjesët, i vë drynin, dhe kaq. Shqiptarët e Kosovës janë nisur e po vaksinohen në Beograd, por aq i bën Albinit; mjaft që bllokoi linjën ‘shqiptar me shqiptar’.
Kur mund ta hapë traun Albini?… Kur të mbarojë lufta e tij. Lufta e tij është që edhe në Tiranë të përcaktojë fituesin në zgjedhjet e 25 prillit. Nëse fitojnë Meta dhe Berisha, Kurti hap thesin ku ka futur ‘macen komb’. Politika e qeverisë së re marksiste në Kosovë po tenton një Shqipëri të prerë në një vijë tjetër: Në lumin Mat ose Shkumbin. Andej nga Jugu nuk e ka qejfin…
Ideja e ndarjes së kombit ka dështuar edhe në vitin 1997. Presidenti pati bllokuar krahinat, pati nisur militantët për të sulmuar Jugun; pati urdhëruar prerjen e Mifolit dhe urave të tjera, pati ndaluar transportin e ushqimeve dhe ilaçeve…, por ja ku është.
2.
Pse e bllokoi Ilir Meta aeroportin e Rinasit? Prej kohësh po bëjnë thirje ‘mos u vaksinoni!’me qëllim shpërthimin e kaosit. Kjo nuk po ndodhte, atëherë bllokuan transportin ajror. Dëshmi nga media po thonë se presidenti ka takuar, përgjatë gjithë natës, militantët e LSI që akoma punojnë në Albcontrol. Ata u thanë të tjerëve dhe… i vunë drynin. Edhe sikur të mos kishte ndodhur kjo, presidenti i Republikës po injekton zjarrminë e konfliktit kombëtar.
Këtu janë disa liderë, inkludë Metën, që ndjejnë se po vjen dita të japin llogari për krimet. Zhdukja e tjetrit është fshehja më e mirë e krimit- prandaj e duan këta luftën dhe trazirën kombëtare. Duhet të paguajnë për çfarë bënë. Sa pa ndodhur kjo, ata më parë mbyllin thesin e ‘kombit mace’ dhe e mbysin. E duan vdekjen e njerëzve, e duan si shpirtin.
Pas kësaj mbyllet linja tjetër: Rruga Amerikës. Ushtritë e Amerikës dhe NATO-s, këto ditë kanë në plan stërvitjen më të madhe në rajonin tonë. Po nga do të kalojnë ushtritë me qiell të kyçur?! Aleatët kanë mbetur garanci e vetme për paqen tonë. Sa për ne shqiptarët (shqiptarë gjykatës dhe politikanë) tiranët tanë vdesin në shtrat floriri. Vini re: Amerika stërvit trupat nga toka, ajri e deti pikërisht në 26 prill. Po thonë se ‘Elefanti’ ulet këtu për të shtypur ‘mizën’ që të shpëtojë popullin, por kjo është alegoria e fatit tonë.
Këta këtu, kështu duken, si miza, por punojnë për të na mbyllur në thes. A do t‘ua heqim kësaj here të drejtën e përdorimit mbi thesin, litarët, kufijtë, urat, vaksinat, paratë, mjetet?!…
Nuk dihet cila nga pikat kufitare u bllokua e para: Rinasi apo Morina!”.