Analisti Frrok Çupi ka komentuar zgjedhjen e Altin Dumanit në krye të SPAK, duke deklaruar se është e pamundur që ai tani të zgjidhë i vetëm të gjitha çështjet, pa pasur bashkëpunimin e prokurorëve të tjerë.
Gjatë një prononcimi për mediat, zoti Çupi u shpreh dje se mbi Dumanin bie një peshë e madhe, për shkak të mungesës së gjatë të institucioneve. Sipas tij, tanimë SPAK-u po hyn në një fazë të re. “Pesha që bie mbi Dumanin, një pjesë e saj është artificë, është thjesht shpresë, nuk është një peshë e vërtetë. Pjesa tjetër është një peshë që bie për shkak të mungesës së gjatë të institucioneve.
Të gjithë mëkatin e vrasësve të Krishtit, tani duhet ta vëmë mbi shpatullat e një njeriu, gjë që nuk është e drejtë dhe nuk të zgjidh asgjë. Altin Dumani është një prej prokurorëve. Nuk është e mundur që t’i zgjidhë të gjitha problemet një prokuror. Për mua nuk ka ndodhur asgjë e re në SPAK, për mua vetëm është hapur një fazë e dytë”, deklaroi ai. Më tej Çupi renditi dhe disa prej dosjeve që janë sfidë për SPAK dhe kreun e saj. Por ai kërkoi që të shkohet dhe te dosjet e vjetra.
Ai mori si shembull vitet 1997-1998, duke bërë të qartë se krimet e Berishës nuk mund të harrohen. “Janë 4-5 dosje të rëndësishme si CEZ-DIA, janë Gërdeci, janë kompleksi Partizani, inceneratorët që nuk duhen harruar, por pyetja është a do shkojë drejtësia drejt një Nurembergu? Pra të harrojë se ka parashkrimin.
A do zbulojmë ne se sa krime u kryen në 1997 me humbjen e financave. A do zbulojmë ne të vdekurit e luftës civile se drejt asaj ishim në 1997. A do shqyrtojmë ne grushtin e shtetin. A do shikojmë ne 500 veprat e trashëguar nga epoka komuniste. Vetë njerëzit e perceptojnë se drejtësia nuk po arrin atë që duhet nuk janë shumë të qartë.
Duhet të thuhet se çfarë po ndodh me parashkrimet dhe dosjet që janë në duart e prokurorëve”, nënvizoi Çupi, ndërkohë që se politika ka ndikim shumë të madh në drejtësi. Megjithatë sipas tij, peshën më të madhe të ndikimit e ka bota e krimit. Po ashtu, ai tregoi dhe se cilët janë ata që nuk e duan drejtësinë e re.