BKH është në fazën e fundit të kompletimit me 60 hetues pasi grupi prej 32 është certifikuar dhe ka nisur emërimi me grupe. Grupi i dytë i Byrosë Kombëtare të hetimit do të shkojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fund të gushtit deri në shtator.
Ndërkohë prej një jave duke nisur nga 1 gusht drejt Uashingtonit do të udhëtojë edhe drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, për takime me zyrtarët e departamentit të shtetit. Lidhur me këto zhvillime, ka reaguar dhe analisti i njohur Frrok Çupi. Ai shkruan se ardhja e numrit dy të DASH në Tiranë dhe ftesa e Krajës për në SHBA janë sinjale shumë të forta për të pushtetarët e korruptuar shqiptarë.
“Arben Kraja, prokuror i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ftohet në Uashington në muajin e pushimeve të të gjithë botës. Zonja Liza Johnson, zëvendës-ndihmës sekretare e shtetit, vjen direkt për të takuar njerëzit e Drejtësisë në Tiranë. Është hera e parë që Prokurori i Shqipërisë ftohet në Departamentin e Shtetit”, shkruan Çupi.
Analisti shkruan se pa ndëshkimin e Sali Berishës nuk mund të ketë Drejtësi të besueshme në vend “Nëse do të fitojë korrupsioni dhe krimi, atëherë humb Amerika dhe qytetërimi Perëndimor. Korrupsioni fiton nëse nuk dënohen me ligj të korruptuarit.
Pse nuk dënohen të korruptuarit e mëdhenj? Në krye të fjalës për korrupsion të madh, prej vitesh ndodhen Ilir Meta dhe Sali Berisha. Berisha është nominuar si ‘i korruptuar i madh’ nga Departamenti i Shtetit. Korrupsioni i tij ndikon fort në minimin e demokracisë dhe të shtetit të së Drejtës. Drejtësinë vazhdon ta manipulojë Berisha me njerëzit e vet që ka aty brenda. Pa ndëshkimin e tyre nuk mund të ketë Drejtësi të besueshme në vend”, është shprehur Frro Çupi. Analisti tha se në fund do të fitojë drejtësia e re e financuar nga amerikanët.