Analisti Frrok Çupi foli për rastin e shantazhit ndaj zyrtarëve të policisë nga portali (shqipnews.info) me drejtues Kushtrim Selimin, i cili është shpallur në kërkim.
Sipas Çupit lufta për portalet ‘e gjobave’ duhet të ishte bërë më herët, ndërsa theksoi se krimi fshihet në vlerat më të thella të demokracisë.
“Nëse reziston para mediave dhe institucioneve të medias, opozitës që tenton të mbrojë çdo negativitet të policisë, atëherë është një lajm i mirë.
Por nuk është lajm, duhet të kishte ndodhur që prej fillimit. Nuk e kishim idenë që do kthejë në armik të lirisë. Media është armike e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Në vendin tonë është shumë më i lehtë burgu, sesa media, media shpif, denigron, ka çuar njerëz drejt vrasjes.
Krimi është kthye në qendër të botës. Krimi është denigrimi, vrasja e tjetrit. Mund të mos jetë vrasje fizike por edhe deri atje shkon puna. Institucionet e lirisë, të së vërtetës më në fund, dhe ato humane janë kthyer në streha ku po fshihen kriminelët. Krimi fshihet deri te fjala demokraci, e drejta e popullit, kisha, xhami”, tha ai i ftuar në “Tirana Live” në ABC News.
Çupi shtoi se përfshirja e strukturave shtetërore në krim është e rrezikshme. Ai u ndal te rasti ku dy punonjës të AMP Durrës dhe një gazetar shantazhonin zyrtarët e lartë të policisë, ai tha se shtrembërimi i lajmeve dhe ato të rreme godasin sigurinë e vendit tonë. Sakaq tha se kërkohet një riorganizimin të sistemit.
“Duhet ndërtuar ligji këtu, nëse është djalli apo shenjtori i shtetit. Pse u sulmua ligji për mediat? Britania ka vuajtur nga një ligj për mediat. Pse reaguan ashtu? Sepse është strofka e grerëzave. Portalet janë të rrezikshme. Shtrembërimi i lajmeve, lajmeve fake, godasin vetë sigurinë tonë dhe të rajonit, botës. Është aq i rënë tani lajmi i rremë. Vijmë të kufizimi i së keqes, si mund të kufizohet? Nuk është rastësi që ky gazetar, rast ka një biografi të tërë. Polica është pjesë e bandave kriminale, pse të mos jetë një gazetar? Ai ka thënë se paguhej 600 euro.
Duhet që nga themeli të riorganizohet ligji, perceptimi. Shiko sa ka devijuar koncepti i lirisë në media. Media e percepton veten si pushtet i katërt. Media nuk është forca e katërt. Është përkëdhelur media. Ka denigruar një vijë arsyetuese për të bërë ndryshime pozitive në drejtësia. Portalet kanë qenë armiku më i madh i politikës, demokracisë, mazhorancës, Amerikës. Gjithçka në shtet është ligj dhe ne japim mesazhe politike. Media është aq shëndetshme e dashur, por jo e gjitha.”, tha Çupi.