Pse janë tre? Duhej të ishin o dy, o katër, o pesë…
Ne shqiptarët dhe fqinjët tanë të afërt, të prirë fort drejt mistikës, nuk e pranojmë numrin tre; numri tre thonë se sjell të liga. Prandaj kemi thënë e kemi kënduar për ‘dyshin’, deri edhe në këngën “ Dy gëzime në një ditë!’. Vetëm në ngjarje ‘të mallkuara’ mund të përdoret numërimi ‘tre’.
Rasti i tanishëm i ‘tre konflikteve’ është shumë i volitshëm, përderisa treshi shoqërohet me një akt të mallkuar ndër njerëz, siç është konflikti.
Të tre konfliktet u projektuan në tre shtete ballkanike.
I pari në Kosovë,
I dyti në Maqedoni,
I treti në Shqipëri.
Të tre u projektuan me teknikën djallëzore që secili të lindte edhe nga tre apo trembëdhjetë konflikte të tjerë. Ballkani, si një gadishull i mbushur me pyje halorë, e njeh mirë se si ndodh me pishat kur e sulmon infeksioni i procesionares. Procesionarja është ai mikroinsekt, i padukshëm, që lëshon me miliona larva në minutë dhe kështu i përvishet kurorës së pishës derisa e rrëzon të vdekur.
Konflikti këtu, i quajtur ‘procesionare njerëzore’ me shumëfishin e numrit tre, do ta rrëzonte përdhè jetën e shteteve ballkanike njësoj si pemën me kurorë.
Ç’pjellë tjetër do të sillte konflikti i Kosovës brenda në Kosovë?
Në Prishtinë kulmon konflikti i ballkanasve të pakënaqur me Perëndimin. Kryeministri u ka treguar gishtin aleatëve të mëdhenj që krijuan Kosovën shtet, dhe ata tani janë ‘ të ngrirë’ ndaj interesit të Kosovës. Situata e ka prurë pikozën e kryeministrit deri në pikën zero; ai nuk di çfarë bën, nuk e di ku të drejtohet, asnjë derë dhe asnjë kufi nuk i hapet në Perëndim. Shumë shpejt kjo do të sjellë pakënaqësinë e gjerë ose themi konfliktin e popullit me qeverinë e zgjedhur prej popullit.
Deri tani është ndjerë pesha e izolimit dhe e kufizimeve nga Bashkimi Europian. Sipas institucioneve të larta financiare botërore (Fondi Monetar dhe Banka Botërore), pesha e koncesioneve po rëndon ekonominë dhe në të ardhmen mund ta rrëzojë. Nuk ka më investitorë të huaj dhe as projekte perëndimore. Konflikti i hapur në Veriun e Kosovës duket sikur ‘nuk është më’, por në fakt po ushqehet më shumë. Organizatat e shpallura nga qeveria e Kosovës si “organizata terroriste’ po paguhen me paga marramendëse po nga qeveria e Kosovës. Kjo hap dy konflikte të tjerë: Konfliktin e popullit me qeverinë që natën paguan ‘ terroristët’, ndërsa ditën i mallkon. Dhe konfliktin e dytë e manifeston me Serbinë. Në sulmin artificial kundër Serbisë bëjnë garë të gjithë palët politike në Kosovë, ndërsa qeveria ka interes që të ruajë tensionin në kufi: Aty zhvillohet trafiku i paligjshëm, aty kontrabanda, aty droga dhe krimi. Gjithçka ndodhi këto kohë në Kosovë me izolimin e vendit ka kuptim vetëm ruajtjen e ‘ zonës tampon i ndotur’ në kufirin verior.
Konflikti në Maqedoninë e Veriut shpërtheu si ‘procesionare’ që vjen nga Kosova.
Kryeministri i Kosovës, i izoluar nga bota Perëndimore, iu drejtua Maqedonisë ku jetojnë shumë shqiptarë etnikë dhe vendosi të bëjë një ‘Fjalim Marshimi”. Qëllimi ishte jo vetëm t’i dëshmonte Amerikës dhe BE se ‘ më duan shqiptarët, gajle pse nuk më doni ju!”. Efekti shkoi shumë më larg. Presidenti i Serbisë u ankua para botës se ‘ Kurti po projekton Shqipërinë e Madhe’. Ndërsa presidenti i Maqedonisë ngriti alarmin se ‘ Kurti solli konfliktin mes nesh në Maqedoni’. Albin Kurti e mbarti konfliktin e tij me Perëndimin si një konflikt etniko- politik në Maqedoni. Ai e çoi punën deri aty sa edhe rrugëve të shtetit tjetër, Maqedoni e Veriut, t’u vërë emrin e miqve të tij. Nuk është thjesht marrëzi. Mund të kthehet prapë konflikti që kishte zënë vend para Marrëveshjes (së Parë) të Ohrit mes kombësive në Maqedoni. Kurti e ka të fortë urrejtjen me “ marrëveshjen e Ohrit’.
Konflikti në Shqipëri, ky do të kishte spektër më të gjerë.
Këtë konflikt po mundohet ta ndezë qeveria e Greqisë, por me mjete shumë të vjetra dhe me organizata të spektrit nacionalist e terrorist si ‘Vorio Epiri’ ose ‘Agimi i Artë’. Mirëpo qeveria shqiptare po sfidon konfliktin dhe vetë pretendimet greke, që me sa duket po e nxjerrin ‘nga fiqiri’ politikën e vendit fqinj. Një ditë para ditës së Shën Mërisë, dy kryetarë të bashkive greke, një nip i kryeministrit Micotakis dhe një tjetër me mbiemër provokativ ‘ Zervas’ sollën disa njerëz në Himarë dhe kërcënuan me rrëzimin e shtetit. Arsyeja ishte pse një njeri i kapur duke vjedhur vota, ish kandidat për kryetar Bashkie, ndodhet në burg.
Heroi Beleri është një njeri i dënuar si nxitës i urrejtjes nacionale mes Grekeve e Shqiptarëve; ai është kapur edhe në akte terroriste ku janë vrarë ushtarakë shqiptarë. Ky ishte i zgjedhur i Greqisë për kryetar Bashkie, por ra në burg. Greqia e di se kjo punë nuk bëhet, dmth., ai nuk nxirret nga burgu, por e përdor Belerin për disa konflikte të tjerë: Konflikt për çështjen Çame, kthimin e Ligjit të Luftës, bllokim i pronave të shqiptarëve, konflikt në BE për anëtarësimin e Shqipërisë dhe më në fund fitila për organizatën antiamerikane të Berishës që po përkrah zgjedhjen e Belerit.
Ajo që ndodhi në Himarë- Shqipëri, ajo ishte më e dukshme se kërkohet një konflikt me Perëndimin. Përballë protestës së qeverisë greke ndodheshin ish- kryeministri i Anglisë, Blair dhe kryeministre e Italisë, Meloni. Po të mos ishin këta aty, zor se do të mundoheshin grekët të vinin deri në Himarë.
Konfliktin duan ta çojnë në dyer të Europës.