Analisti Frrok Çupi, ka sulmuar dje ish-kryeministrin Sali Berisha. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai deklaroi se Berisha është pro rus. Sipas tij, në Tiranë, prej gati një vit, është instaluar hapur një lëvizje politike anti- amerikane e kryesuar nga PD e Berishës.
“Edhe sikur Sali Berisha të mos e kishte kërkuar një ‘lord nga Putin’, vetë Moska do t’ia kishte nisur me postë. Kjo është ‘patologjia’ e përbashkët mes të dyve, para se të prekeshin në sallën e Kuvendit. Çfarë po ndodh, fshehur nën maska lordësh, delegatësh dhe aktesh ‘sovraniste’, në këtë kohë lufte?
Rusia tani mbështetet në një grup mjetesh diplomatike, ushtarake, inteligjente, ekonomike dhe të botës së krimit, për të formuar qëndrimet popullore në Evropë. Në Tiranë, prej gati një vit, është instaluar hapur një lëvizje politike anti- amerikane e kryesuar nga PD e Berishës. Ditët e fundit, me anë të një peticioni, Berisha bëri thirrje ‘Amerika ik’ nga Tirana.
‘Ikja’ e Amerikës do të thoshte faliment i Shqipërisë dhe i rajonit. Lordi Ëarton, i financuar nga Kremlini, do të vinte në Kuvendin e PD, edhe sikur këta tanët të mos e kishin thërritur me emër; dikush i këtij lloji ishte caktuar”, tha ai. Ndër të tjera, ai deklaroi se PD e Berishës nuk është një aspiratë demokratike, por është një mjet. Sipas tij, Berisha është ‘kapedani’ i vetëm i Ballkanit kundër Perëndimit. “PD e Berishës nuk është një aspiratë demokratike, por është një mjet.
Mjeti përdoret për të trazuar paqen, për të prishur stabilitetin dhe për të goditur sigurinë. Për shtatë muaj, PD ka mbledhur 4 Kongrese; të gjitha për të prodhuar histerinë haluçinatore, sikur këtu mungon liria dhe vota; e, dikush pritet që t’i sjellë. 8 Janari e çoi PD-në në prag të luftës civile. Media dhe imazhi i Berishës sjellin pa pushim modelin e viteve 1997, ’98, 2011…, kohë e luftës së kryer prej tyre.
Me rastin e Kongresit lëshuan një mesazh tjetër ‘haluçinant’. Për Rusinë, vetë Ballkani, si edhe PD, është një mjet që përdoret për të larguar vëmendjen nga punët prospere të njerëzimit. Tani Berisha është ‘kapedani’ i vetëm i Ballkanit kundër Perëndimit”, nënvizoi Çupi.