Pas informacioneve se protesta e opozitës jokuvendore do të zhvendosej pas kryeministrisë edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ky institucion është boshatisur. Kryetari Klement Zguri anëtarët e KQZ, por edhe gjithë administrata janë larguar, edhe pse afati ligjor për dorëzimin e dokumentacioneve për regjistrimin e kandidatëve për kryebashkiakë dhe këshilltarë për zgjedhjet vendore është deri në mesnatë.
Raportohet se pranë KQZ-së ka vetëm forca policie në rast se PD dhe LSI do të tentojnë të shkojnë drejt këtij institucioni. Nga informacione jo zyrtare pranë PD-së thuhej se do të kishte një plan për të penguar bllokimin e procedurës ligjore për regjistrimin e kandidatëve. KQZ ka hapur zyrën e protokollit për pranimin e dokumentacionit deri në mesnatë.
Zyra tjetër e protokollit është hapur në një vend tjetër, i cili nuk tregohet për arsye sigurie. Përfaqësues politikë që do duhet të dorëzojnë dokumentacionet e fundit për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, do të duhet t ëlidhen me personin e kontaktit të KQZ, i cili i orienton drejt vendit ku është çelur zyra e protokollit. Mësohet se Partia Socialiste këtë pasdite i ka dorëzuar të gjitha dokumentacionet, duke regjistruar të gjithë kandidatët për kryebashkiake dhe të gjithë këshilltarët bashkiakë.