Qeveria ka pezulluar përkohësisht statusin e investitorit strategjik për resortin e kompanisë Mediterranean Wave në Plazhin e Gjeneralit, me arsyen se bie ndesh me Planin e Përgjithshëm Vendor të Kavajës.
Pas kompanisë qëndron Shpëtim Shijaku, i cili ka çarë me para në qeveri, duke marrë statusin e investitorit në mënyrë të paligjshme.
Nga frika e veprimit të SPAK, palët po përpiqen të jenë në rregull formalisht me ligjin.
Komiteti i Investimeve Strategjike ka vendosur që statusi i investitorit strategjik që iu dha këtij subjekti në dhjetor të vitit 2021, të pezullohet derisa kompania të ndryshojë projektin për ta përshtatur atë me treguesit urbanistik të lejuar për zonën.
“Deri në përmbushjen e detyrimeve nga subjekti investues, efektet juridike të Vendimit “Për miratimin e statusit “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë” për projektin e investimit “Mediterranean Wave” me subjekt aplikues shoqëria “Mediterranean Wave” sh.p.k. pezullohen,” thuhet në vendimin e marrë në mbledhjen e fundit të Komitetit të Investimeve Strategjike.
Në dhjetor të vitit 2021 qeveria i dha kompanisë “Mediterranean Wave” të zotëruar nga biznesmeni Shpëtim Shijaku, statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti me vlerë 50 milionë euro në Plazhin e Gjeneralit.
Vendimi i fali kompanisë 635 mijë metër katrorë tokë shtetërore në Plazhin e Gjeneralit si dhe përmes tij qeveria mori përsipër të ndërtonte të gjithë infrastrukturën, duke përfshirë rrjetin elektrik, atë rrugor dhe kanalizimet.